

Kur në 31 dhjetor në Kinë u shfaqën simptomat e para të koronavirusit, pak kush mendoi që jemi pranë një epidemie e cila do shkaktonte po aq panik sa virusi SARAS dikur.
Pas 27 ditësh Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikon të rrezikshmërisë së lartë.
Harta e përhapjes së tij tashme ka dalë nga Kina.
Australia, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Franca, janë disa nga vendet e prekura.
Por nëqoftese epidemia është ende e tillë në rrafshin patologjik, psikologjikisht kemi një pandemi.
Njerëzit janë të trembur. Kina ka futur në karantine krahinen e Hubeit, ku është edhe metropoli Wuhan, origjina e virusit. 56 milionë banorë janë të bllokuar.
Pekin ngjan një qytet fantazmë. Nëse edhe ai futet në karantine, 100 milionë banorë të tjerë do t’i nënshtrohen rregullave të rrepta të lëvizjes.
Ekonomia ka pësuar goditjet e para. Bursat janë në rënie, dhe janë penalizuar jo vetëm Kina por edhe Amerika dhe Japonia.
Po Shqipëria a mund të jetë pjesë e hartës globale?
Aktualisht ministrja Manastirliu doli dhe siguroi qytetarët se nuk ka asnjë rrezik pasi janë marrë masat.
Çfarë masash bëhet fjalë nga ministrja kur as vetë infeksionistet botërore nuk dinë të përcaktojnë karakterin e virusit dhe antidotin. Për virusin Sars, vetëm pas dy vjetësh nga bllokimi i përhapjes së tij, u percaktua karakteri dhe protokolli i bllokimit.
Revista prestigjioze mjekësore, “Lancet”, lajmëron se virusi ka edhe njerëz-mbartës të tij qe nuk shfaqin simptoma. Këta janë edhe ata që e kanë përhapur jashte Wuhan coronavirusin.
Por Shqipëria akoma nuk ka bërë një skanim të personave që mund të kenë qenë në Kinë në muajin dhjetor apo ditët e para të janarit. Askush nuk di të thotë nëse komuniteti kinez që banon e punon në Shqipëri ka qenë gjate kësaj periudhe dymujore në Kinë dhe në zonat e prekura të saj. Asnje institucion nuk ka kërkuar që personat që kanë qenë në Kinë, të paraqiten për kontroll. Dhe askush nuk ka një inventar të shqiptarëve që ndodhen në Kinë.
Ndërsa shtete evropiane po ngrëne urat ajrore për tërheqjen e shtetasve të tyre, ambasada jonë në Pekin ju kërkon familjarëve që t’i presin bileta fëmijëve të tyre për tu kthyer në atdhe.
Sa i takon Republikës së shqiptareve, deri më tani e vetmja siguri konkrete që ofroi ministrja Manastirliu ishte se shtetet kufitare me ne kanë pika kontrolli për të identifikuar të prekurit, kështu që ne jemi të sigurt.
Kurse deklaratat e saj të sotme për siguri në trajtimin e koronavirus, ndërkohe që bota ende nuk ka një protokoll të përcaktuar të identifikimit dhe trajtimit të tij, kanë lidhje me shumë me propagandën sesa shkencën.
Ndërkohe Instituti i Shëndetit Publik, institucioni përgjegjës për zbatimin e politikave preventive dhe frenuese, mban një heshtje varri. Askush nuk prononcohet për të thënë nëse ka plane emergjence; askush nuk tregon sesi do veprohet nëse ka një protokoll që do zbatohet dhe a kemi të paktën tuta dhe ambulanca te posaçme për infermieret që do përballohen me pacientin zero, që është ai që e sjell virusin.
Deri më sot e vetmja që prononcohet është zonja Manastirliu, por asnjë specialist.
Një thënie e vjetër thotë që njeriu i paralajmëruar, është gjysmë i shpëtuar.
Ndërkohe ne jemi paralajmëruar. Por ende nuk dimë a ka një fond emergjence për këtë tërmet të ri qe po ju kanoset shqiptarëve. Askush nuk thotë se si do veprojmë kur virusi të shfaqet tek porta. Dhe ky nuk është rasti që mund te thuhet se ky termet është punë e zotit dhe as mund t’i lihet në dorë bamirësisë dhe qokave të biznesmenëve. Të shpresojmë që nuk do vihemi në provë./ Dritare.net
https://youtu.be/92hplTh66m4

















