Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Veliaj: 2016 është viti i fëmijëve

Veliaj: 2016 është viti i fëmijëve

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka përuruar sot ambientet e rikonstruktuara të kopshtit “Xixillonja” tek Fusha e Aviacionit.

Gjatë këtij përurimi Velaj ka theksuar se viti 2016 është viti i fëmijëve, ku Bashkia do të rikonstruktojë 23 kopshte dhe kënde lojërash për fëmijë në çdo lagje të kryeqytetit.

“Kjo i kushtohet punës së palodhur së të gjithë atyre që iu bashkuan fushatës tonë ‘Adopto një kopësht’. Nuk do të ishte e mundur pa ndihmën që na kanë dhënë tre kompani jashtëzakonisht serioze dhe që e tregojnë seriozitetin e tyre edhe në mënyrën se çfarë i japin mbrapsht komunitetit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai siguroi se puna e nisur gjatë vitit të shkuar me çerdhet do vijojë gjatë këtij viti me 23 kopshtet e Tiranës, për të bërë të mundur përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurimin e kushteve më të mira për fëmijët e kryeqytetit.

“Ne kemi premtuar që këtë vit do të rikonstruktojmë 23 kopshte të Tiranës, do i rehabilitojmë ato totalisht, do të heqim lagështirën, do të vendosim të gjitha mjetet higjeno-sanitare, do të ketë kënde lodrash në kopshte dhe kemi premtuar që fëmijët do t'i kemi prioritet në Bashkinë e Tiranës. Kjo është arsyeja pse vjet filluam me çerdhet dhe sivjet vazhdojmë me kopshtet”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se Bashkia e Tiranës e ka konsideruar 2016-ën si vitin e fëmijëve dhe kjo jo vetëm duke investuar në infrastrukturën e institucioneve parashkollore dhe shkollore, por në të gjitha aspektet e tjera që ndikojnë për një jetë më të mirë për ta.