Na ndiqni edhe në

Bota

Trump: Marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin është afër, Teherani e mohon

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të enjten se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin është shumë afër, vetëm pak orë pasi anuloi për të tretën natë radhazi sulmet e planifikuara ushtarake.

Trump, i cili më herët kishte paralajmëruar se SHBA do ta godiste Iranin “shumë fort”, u shpreh më vonë para gazetarëve se negociatorët amerikanë kishin arritur një “marrëveshje të shkëlqyer” me Teheranin.

“Dokumentet janë pothuajse gati dhe pritet të finalizohen brenda pak ditësh. Ka shumë gjasa që të organizohet edhe një ceremoni nënshkrimi në Europë,” tha Trump.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, hodhi poshtë pretendimet për një marrëveshje të përfunduar. Ai deklaroi për televizionin shtetëror iranian se raportimet mbi një akord janë “spekulative” dhe se “asgjë nuk është finalizuar”.

Trump ka bërë edhe më parë deklarata se një marrëveshje me Iranin ishte afër, por pa u konkretizuar më pas.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit

Më 28 shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të gjera ndaj objektivave iraniane. Irani reagoi duke sulmuar Izraelin dhe vendet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe duke bllokuar në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

Edhe pse palët kishin rënë dakord për një armëpushim në prill, përplasjet kanë vazhduar herë pas here. Vetëm këtë javë janë regjistruar dy raunde sulmesh reciproke.

Pas deklaratave të fundit të Trumpit, çmimi i naftës Brent ra me 4.4%, duke zbritur në rreth 89 dollarë për fuçi.

Çfarë përfshin marrëveshja?

Sipas Trumpit, marrëveshja synon të garantojë që Irani të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore.

“Kjo ishte arsyeja kryesore e gjithë asaj që kemi kaluar. Është një arritje shumë e madhe,” deklaroi ai.

Presidenti amerikan shtoi se menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes do të rihapet edhe Ngushtica e Hormuzit për qarkullimin normal të anijeve.

Trump tha gjithashtu se ka zhvilluar biseda me liderët e rajonit, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se “i gjithë Lindja e Mesme është e kënaqur”.

Nga ana tjetër, zyra e Netanyahut konfirmoi kontaktet me Trumpin, por theksoi se Izraeli nuk është palë në memorandumin e mirëkuptimit. Izraeli kërkon që marrëveshja të përfshijë heqjen e materialeve të pasuruara bërthamore, çmontimin e infrastrukturës së pasurimit të uraniumit, kufizime në prodhimin e raketave dhe ndërprerjen e mbështetjes iraniane për grupet aleate në rajon.

Irani: Nuk do të heqim dorë nga vijat tona të kuqe

Zëdhënësi iranian Baghaei tha se pjesa më e madhe e tekstit të marrëveshjes është hartuar, por akuzoi SHBA-në se ka paraqitur kërkesa të reja dhe të tepruara.

Ai theksoi se Teherani nuk do të tërhiqet nga “vijat e kuqe” të vendosura nga udhëheqja iraniane.

Ndërkohë, komandanti dhe negociatori i lartë iranian Mohammad Bagher Ghalibaf paralajmëroi se vendime të nxituara mund të krijojnë një krizë afatgjatë për rajonin.

Sulme të reja dhe thirrje për uljen e tensioneve

Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë pas rrëzimit të një helikopteri amerikan Apache në Gjirin Persik të hënën.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se të mërkurën goditi objektiva ushtarake, radarë dhe sisteme mbikëqyrjeje në jug të Iranit.

Në kundërpërgjigje, Garda Revolucionare Islamike iraniane deklaroi se kishte goditur baza amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani. Në Bahrein, një vajzë 11-vjeçare mbeti e plagosur pas një sulmi me dron, ndërsa u raportuan dëme në banesa dhe automjete.

Jordania tha se kishte rrëzuar rreth 20 raketa iraniane, ndërsa Kuvajti njoftoi se kishte ndërhyrë ndaj objektivave ajrore armiqësore.

Ndërkohë, India thirri një diplomat të lartë amerikan pasi tre marinarë indianë humbën jetën gjatë një sulmi amerikan ndaj një anijeje në Gjirin e Omanit.

Situata ka nxitur reagime ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara, Rusia, Kina, Turqia, India, Arabia Saudite dhe Pakistani kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe rikthim në dialog.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, deklaroi se organizata është “thellësisht e shqetësuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme” dhe u bëri thirrje palëve të shmangin çdo përkeqësim të mëtejshëm të situatës./L.F-dritare.net