Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë, Gjykata refuzon kërkesën për lirimin e tij

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbetet në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ku akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Thaçit, duke vlerësuar se, pavarësisht mungesës së informacionit të mjaftueshëm për të konstatuar se ai do t’i shmangej drejtësisë, vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe lidhur me pengimin e procedurave dhe ndikimin te dëshmitarët.

Në vendimin e datës 10 gusht, gjyqtarët kanë konstatuar se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që, në rast të lirimit, Thaçi mund të ndërhyjë në ecurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara.

Sipas Trupit Gjykues, ekziston gjithashtu rreziku që ai të kryejë vepra të tjera penale ndaj personave që mund t’i perceptojë si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje.

“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendim.

Aktgjykimi pritet më 16 shtator

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator 2026. Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar zyrtarisht se shpallja publike e aktgjykimit është caktuar për këtë datë.

Në të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar palët që të mos paraqesin më parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit ndaj Thaçit, i cili, sipas afateve, do të duhej të zhvillohej më 9 tetor.

Trupi Gjykues ka vlerësuar se një shqyrtim i tillë nuk është më i nevojshëm në këtë fazë, duke pasur parasysh se aktgjykimi është caktuar të shpallet më 16 shtator.

“Paneli vëren se, në përputhje me nenin 41(10), shqyrtimi i ardhshëm i paraburgimit të z. Thaçi, në parim, është caktuar të bëhet të premten, më 9 tetor 2026, përveç nëse Aktgjykimi i Gjykimit shpallet ndërkohë”, thuhet në vendim.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Prokuroria i akuzon ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që, sipas aktakuzës, lidhen me periudhën e luftës dhe pasluftës në Kosovë.

Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat ndaj tyre./L.F-dritare.net