Tension në Kuvendin e Kosovës, deputetja e AAK-së hedh vezë drejt Kurtit
Dritare.net

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas tensioneve të krijuara në sallë, ku deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Incidenti ndodhi pak pasi Kurti kërkoi më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme. Pas veprimit të deputetes pati tensione dhe shtyrje mes deputetëve, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi të ndërpresë punimet.
Pas incidentit, Kurti deklaroi se është i gatshëm ta pranojë edhe këtë situatë nëse ajo do të shërbejë si një hap drejt dialogut politik.
“Nëse gjuajtja me vezë është çmimi që unë duhet të paguaj në mënyrë që ata të ulen e të bisedojmë, jam i lumtur ta paguaj. Vetëm të vijnë në takim”, tha Kurti.
Edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, komentoi incidentin, duke thënë se nuk ka problem me aksionet politike të deputetëve në Kuvend.
Haxhiu u bëri thirrje partive politike të vijojnë dialogun për të gjetur një marrëveshje lidhur me çështjen e presidentit, duke paralajmëruar se mungesa e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ajo kritikoi gjithashtu LDK-në për kërkesat e saj politike, ndërsa theksoi se çdo pretendim për shkelje të procedurave kushtetuese mund të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Tensionet në Kuvend vijnë në një moment kur partitë politike në Kosovë po përballen me vështirësi për të arritur marrëveshje dhe për të zhbllokuar situatën institucionale./l.F-dritare.net