Tension në Aeroportin e Vlorës, punonjësit e “Mabco”-s hyjnë me forcë në kantier
Dritare.net

Punonjësit e kompanisë “Mabco”, në pronësi të biznesmenit nga Kosova Behgjet Pacolli, janë rikthyer këtë të hënë në kantierin e Aeroportit të Vlorës, pas njoftimit të bërë nga Pacolli një ditë më parë.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, sapo kanë mbërritur në kantier, punonjësit e “Mabco”-s janë përballur me rezistencën e rojeve të sigurisë, të cilët nuk i kanë lejuar të hyjnë në ambientet e projektit. Situata është tensionuar, ndërsa punonjësit kanë hyrë me forcë në kantier.
Më pas, është shënuar një përplasje mes punonjësve të “Mabco”-s dhe atyre të 2A Group, kompani e lidhur me biznesmenin Valon Ademi. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se punonjësit e “Mabco”-s kanë nxjerrë jashtë zyrave stafin e kompanisë tjetër.
Pas përshkallëzimit të situatës, në kantier ka mbërritur policia, e cila po ndjek zhvillimet dhe po verifikon rrethanat e incidentit.
Rikthimi i kompanisë “Mabco” në Aeroportin e Vlorës vjen pas vendimit të fundit të Gjykata e Lartë, e cila i riktheu kompanisë së Behgjet Pacollit të drejtën e administrimit të projektit. Konflikti mes palëve lidhet me kontrollin dhe menaxhimin e kantierit të aeroportit, një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit./L.F-dritare.net