Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Steve Witkoff dhe Jared Kushner takohen me Putinin në Moskë

Të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump për negociatat e paqes, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, janë takuar me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Pamjet e transmetuara nga mediat shtetërore ruse tregojnë Witkoff dhe Kushner duke u pritur nga Putin, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës janë intensifikuar.

Presidenti Trump deklaroi të premten se Witkoff dhe Kushner po shkonin në Moskë me një propozim për t’i dhënë fund luftës. Deri tani, përpjekjet e SHBA-së dhe aleatëve të saj për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje nuk kanë sjellë rezultat.

Pas Moskës, të dielën dy të dërguarit amerikanë pritet të udhëtojnë drejt Kievit për të zhvilluar bisedime të tjera.

Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina kanë deklaruar se do të ndalojnë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës për tre ditë, gjatë vizitës së delegacionit amerikan.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të shtunën se kishte biseduar me të dërguarit amerikanë, të cilët, sipas tij, “kanë nisur tashmë punën me palën ruse”.

“Plani për angazhimet diplomatike të nesërme në Kiev, ku do të jetë e pranishme skuadra amerikane, është miratuar. Po presim Steve Witkoff dhe Jared Kushner dhe jemi të gatshëm për një bisedë konkrete”, deklaroi Zelensky.

Ai shtoi se Ukraina është e gatshme të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës deri të hënën, duke pritur të njëjtën gjë nga Rusia në lidhje me Kievin.

Sipas mediave shtetërore ruse, Vladimir Putin ka urdhëruar ndalimin e sulmeve ndaj Kievit për tre ditë për shkak të vizitës së delegacionit amerikan.

Media amerikane Axios raportoi se Witkoff dhe Kushner do të zhvillonin takime të veçanta si me Putinin, ashtu edhe me Zelenskyn.

Kushner dhe Witkoff kanë vizituar disa herë Rusinë, por bisedimet e së dielës do të jenë takimet e tyre të para në Ukrainë. Ende nuk është bërë e qartë se si do të udhëtojnë dy të dërguarit amerikanë nga Moska drejt Kievit, pasi hapësira ajrore e Ukrainës është e mbyllur që nga pushtimi i plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Më herët të shtunën, Zelensky tha se Rusia kishte kryer sulme “demonstrative” gjatë natës ndaj aeroporteve në Kiev dhe Boryspil, përpara takimit të planifikuar me delegacionin amerikan.

Sipas tij, sulmet ruse ishin një reagim ndaj diskutimeve dhe përgatitjeve për mundësinë që pala amerikane të përdorte një avion për të udhëtuar drejt Ukrainës dhe për t’u ulur në aeroportin e Kievit ose në atë të Boryspilit.

Zelensky tha gjithashtu se të premten kishte garantuar sigurinë e hapësirës ajrore ruse gjatë vizitës së të dërguarve amerikanë dhe i kishte kërkuar Rusisë të bënte të njëjtën gjë për Ukrainën.

Ai bëri të ditur se një sulm rus gjatë natës ndaj një ndërtese civile në rajonin e Dnipros kishte shkaktuar vdekjen e katër personave dhe plagosjen e pesë të tjerëve.

Vizita e Witkoff dhe Kushner në Moskë vjen pak më shumë se një javë pas një vizite të rrallë në kryeqytetin rus të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe. Nga Uashingtoni dhe Kremlini nuk ka pasur një koment zyrtar mbi atë që është diskutuar gjatë takimit. Trump e kishte cilësuar javën e kaluar atë takim si “gjysmë-rutinë”.

Vitin e kaluar, SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia kishin dhënë sinjale të ndara se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mund të ishte pranë, pas një serie bisedimesh të ndërmjetësuara nga amerikanët.

Edhe aleatët evropianë zhvilluan bisedime në Paris, por diskutimet përfunduan pa ndonjë përparim të rëndësishëm. Mosmarrëveshjet kryesore mes palëve ndërluftuese vazhdojnë të lidhen me çështje të tilla si territori dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Në muajt e fundit, si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ajrore, ndërsa luftimet vazhdojnë.

Ukraina ka deklaruar se po has vështirësi në përballimin e sulmeve me raketa balistike për shkak të mungesës së raketave për përgjimin e tyre. Ndërkohë, Kievi është përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturës ekonomike të Rusisë.