

Ky slogan i shndërruar në rekomandim për qindra mijëra probleme që mund të kenë njerëzit në këtë vend mund të shërbejë për mirë, por mund të shërbejë edhe për keq.
Kjo ndodh rëndom në një vend ku hallet të gjitha duhet t'i mbarosh me kryeministrin, por edhe për shkak se kryeministri ka marrë përsipër shpesh të zgjidhe publikisht edhe në mënyrë populiste problemet e hallexhinjve, që jo gjithnjë janë të tillë. Pikërisht nga fundi i kësaj paranteze nis edhe kalvari i një nëpunësi të Hipotekës së Durrësit, ish-Drejtorit Ardian Iliazaj që sot ndodhet pas hekurave të qelisë vetëm se nuk legjitimoi mashtrimin për të përfituar një certifikate pronësie me dokumentacion të parregullt një person që po hetohet dhe gjykohet për mashtrim. Shtetasi me inicialet R.D edhe ky i arrestuar tashmë nga policia për falsifikim dokumentesh për çështjen e tjetërsimit të pronave në Qarkun e Durrësit bashkë me një grup prej 17 personash, pas tentativave të vazhdueshme i shkon në zyrë ish-Kreut të Hipotekës Durrës dhe pasi bën rolin e qytetarit të sorollatur, provokon Iliazajn ndërsa kishte në trup një kamera të fshehtë, duke i kujtuar se nëse nuk ja jepte ai firmën për certifikatën e pronësisë do të shkonte te Kryeministri Rama. Ish-Drejtori në respekt të ligjit dhe detyrës reziston dhe i bën me dije se me dokumentet që dispononte shtetasi në fjalë, natyrisht "të parregullta" ai nuk mund t'ja jepte certifikatën e pronësisë dhe se mund të shkonte te Rama pa problem, me nënkuptimin se me letra false askush përfshirë dhe Kryeministrin nuk mund të japë një certifikatë pronësie. Pra thënë shkurt batuta ishte: po mirë meqë insiston se je në rregull dhe mendon ae ta jep Rama atëherë shko te Rama. Kaq mjaftoi që batuta të nxirrej nga konteksti në emisionin investigativ, të keqinterpretohej dhe të fuste në "kurth" Kryeministrin që pa mësuar sesi qëndronte rasti reagoi menjëherë duke bërë publikisht shkarkimin e nëpunësit të tij dhe përtej shkarkimit edhe anatemoi punonjësin që mbrojti ligjin dhe avantazhoi indirekt mashtruesin. Ardian Iliazaj shkon në "gijotinë" pa fakte, por me manipulim dhe keqinterpretim. Rasti në fjalë është tipik paradoksal, pasi e tregon vetë realiteti. Sot ndodhet në qeli edhe ish-Kreu i ZRPP-së, që u shkarkua dhe anatemua publikisht nga Rama si halabak, vetëm pse nuk legjitimoi një hipotekim të paligjshëm dhe ai që tentoi mashtrimin. Njëri duhet të dalë jashtë hekurave në këtë rast o ai që refuzoi paligjshmërinë ose ai që tentoi paligjshmërinë se ndryshe sensi i së drejtës, ligjit dhe ndershmërisë në ka rënë. Ligji dhe antiligji nuk mund të kenë të njëjtin status, as morali me moçalin, nuk mund te ndajne nje qeli./dritare.net

















