Na ndiqni edhe në

Sport

Silvinjo: Letonia ka ekip të fortë, duam tre pikët! Penalltia e Manajt ndaj Serbisë, përgjegjësia ime!

Silvinjo: Letonia ka ekip të fortë, duam tre pikët! Penalltia e

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka folur sot në konferencën për shtyp përpara sfidës së rëndësishme ndaj Letonisë, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2026. Braziliani e cilësoi këtë përballje si më të vështirë se të parën, duke theksuar se përgatitjet janë të kufizuara në kohë, por synimi është i qartë: fitorja dhe tre pikët.

“Ndeshja e dytë është gjithmonë më e vështirë, e thonë edhe teknikë të tjerë. Kemi shumë pak kohë për përgatitje, vetëm një stërvitje të lehtë dhe më pas do vlerësojmë gjendjen fizike të lojtarëve. Do diskutojmë edhe për formacionin dhe do bëjmë zgjedhjet e duhura për çdo repart, si në mbrojtje, mesfushë apo sulm.”

Silvinjo mori gjithashtu përgjegjësinë për penalltinë e humbur nga Rey Manaj në ndeshjen ndaj Serbisë, duke theksuar se ishte një vendim teknik i marrë nga stafi.

“Manaj është lojtar me eksperiencë, e njoh që nga koha e Interit në 2014. Ka personalitet dhe ishte zgjedhja jonë për të ekzekutuar penalltinë. Përgjegjësia është e imja, pasi jam unë ai që vendos kush i gjuan penalltitë, duke u bazuar në stërvitje.”

Duke folur për kundërshtarin, Silvinjo vlerësoi ekipin letonez si fizikisht të fortë dhe me një trajner italian që i ka dhënë strukturë dhe organizim taktik skuadrës.

“Letonia ka lojtarë të fuqishëm fizikisht, janë të organizuar dhe me trajner italian që di si t’i përgatisë këto ndeshje. Nuk mund të them që është një ndeshje vendimtare, por është shumë e rëndësishme. Ne duhet të mbledhim sa më shumë pikë që të mundemi për të qëndruar në garë për objektivin tonë.”

Kuqezinjtë ndodhen aktualisht në vendin e tretë në Grupin K dhe kërkojnë me ngulm një fitore në Letoni për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në play-off të “Botërorit 2026”./K.C/dritare.net