Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK jep konkluzionet për Fatime Kryemadhin: Kreditë u shlyen me burime të pajustifikuara

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet përfundimtare për çështjen ndaj Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut, të ndarë nga dosja penale që përfshin edhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë seancës, SPAK argumentoi se një pjesë e konsiderueshme e burimeve financiare të deklaruara nga të pandehurit nuk provohen me dokumentacion ligjor dhe se një sërë transaksionesh mbeten të pajustifikuara.

SPAK-u thotë se: “Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruar nga Agi Kons për të shlyer kreditë, po ashtu 310 mijë euro të pajustifikuara. Janë marrë dy kredi për të blerë apartamentet, por kreditë janë shlyer me para cash, me burime të pajustifikuara. Deklaratat noteriale janë përpiluar pas pyetjes së Fatime Kryemadhit nga organi i akuzës. Po ashtu, personat e pyetur në lidhje me huatë me para cash Fatime Kryemadhit nuk ka asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikën e kalimit kufitar nga këta persona. Ema Çoku është lidhje e ngushtë e Monika Kryemadhit. Kjo provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta, por edhe nga disa transaksione të ndryshme bankare. Ka bërë deklarata noteriale që i ka dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro. Kompania e saj ka paguar faturën e hotelit të shtetasve të huaj që kishin ardhur për të mbështetur LSI. Po ashtu, ka paguar disa fatura që lidhen me evente të ndryshme të LRI. Ndërkohë, Ema Çoku ka qenë debitore në bankat e nivelit të dytë për shkak të kredive në shuma të mëdha. Po ashtu, kjo e fundit ka qenë në pamundësi për të bërë donacione. Kjo shtetase ka bërë deklarata noteriale për llogari të Fatime Kryemadhit. Ema Çoku ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë të këtij procedimi”./K.C/dritare.net