Na ndiqni edhe në

Editorial

Si po e shet Edi Rama, Vlorën!

Si po e shet Edi Rama, Vlorën!


Nga Dritan Hila

Jared Kushner është personi i cili së bashku me Witkoff-in po negociojnë paqen mes Rusisë dhe Ukrainës. Por në fakt është diçka që shkon përtej një paqeje të thjeshtë, pasi në lojë janë ekonomia e SHBA-së dhe zgjedhjet e mesmandatit për Kongres dhe Senat.

Janë shumë të rëndësishme këto bisedime, pasi këtu nuk luhet fati i Trump-it dhe as i republikanëve, por i kthesës që po marrin SHBA-të drejt një politike të re botërore dhe objektivave të reja.

SHBA-ja po e kupton që lufta në Ukrainë ishte një gabim strategjik. Ajo shtyu Rusinë në krahët e Kinës, duke i dhuruar kështu konkurruesit të saj një burim të pafund lëndësh të para me çmime të ulëta. Me idenë që të frenonte një bashkim gjerman me rusët, përfundimi ishte akoma më i keq. Për më tepër që Kina nuk dëshiron të jetë superfuqi në kuptimin klasik, siç ishte BRSS, por një burim soft power, e shoqëruar me rritje ekonomike mbresëlënëse. Kjo e ka bërë SHBA-në dhe aparatet e saj që të rikolaudojnë targetin e tyre, që të mbyllin frontin ukrainas dhe atë izraelit në mënyrë që të fokusohen te konkurruesi kryesor, që luan me një stil loje të panjohur më parë. Dhe për këtë ka caktuar si interlokutor pikërisht atë që do të investojë në Zvërnec, Jared Kushner. Kaq sa për të qartësuar flamingot e polisterolit se kush është personi që interesohet për këtë vend.

Problemi shqiptar është ai historik. Meqë dikush na e vari, ne mendojmë se jemi qendra e botës dhe Kushner është komshiu ynë, me të cilin mund të zihemi sa herë të duam. Pastaj, fillojmë e bëjmë analiza për marrëdhëniet dhe koniukturat në politikën amerikane, ku natyrisht ne zëmë vend të rëndësishëm.

Pastaj vijnë fantazitë sesi izraelitët do të pushtojnë Shqipërinë. Këtu fantazia merr krahë. Nis me Sazanin, i cili do na u bëka bazë ushtarake izraelite, megjithëse çdo kapter e di që ai ishull nuk vlen nga ana ushtarake për interesat e Izraelit dhe për resortin që do t’u mbushka me ushtarë.

Në fakt, Zvërneci është një resort ideal i zhytur mes detit, ligatinave, pyjeve halore dhe zogjve të rrallë. Kjo e bën tërheqës më shumë sesa shumë ishuj të tjerë të Mesdheut. A do të vijnë hebrenj të pushojnë? Patjetër që do të vijnë, siç vijnë edhe sot. Hotelet e Durrësit dhe Vlorës janë mbushur me ta dhe arsyeja nuk është se duan ta pushtojnë, por sepse ky vend është miqësor, virtyt që kompenson disa mungesa të turizmit tonë krahasuar me Italinë, Greqinë apo Spanjën.

Veçanërisht në kohët e sotme, kur ngjarjet e Gazës gërvishtën koren e qelbit të urrejtjes që evropianët kanë për hebrenjtë, ku nën pretekstin e humanizmit ndaj palestinezëve u rishfaq urrejtja 2000-vjeçare e të krishterëve evropianë ndaj izraelitëve, Shqipëria është një oaz qetësie. Pavarësisht disa komplotistëve në rrjete apo celulave të islamit politik, izraelitët gëzojnë simpatinë e shqiptarëve dhe e bëjnë Shqipërinë një vend të sigurt për të kaluar pushimet, krahasuar me vendet e Evropës, ku provokimet ndaj tyre në rrugë, lokale apo përdhosjet e varreve janë kthyer në lajme të ditës. Ndaj dhe nuk do të jetë çudi po të vijnë për pushime apo blejnë shtëpi, siç kanë blerë italianët, polakët, rusët dhe ukrainasit.

Pastaj hamendja se do të na pushtojnë është një shfaqje tjetër ku fantazisë i këputen frenat, pa pasur pikë njohurie mbi procesin e formimit të kombeve dhe, për më tepër, të Izraelit.

Që një komb të krijohet duhet të ketë dëshminë historike lidhur me autoktoninë e tij. Hebrenjtë patën disa raste për ta krijuar një të tillë. Edhe sot, ekziston një rajon autonom në Rusi i quajtur Birobizhdan, i krijuar nga Stalini që t’u jepte një atdhe. Iu ofrua edhe mundësia e Ugandës apo Shqipërisë në periudhën mes dy luftërave, por hebrenjtë deshën tokën e premtuar, Izraelin, megjithëse e dinin që do të kishin kundra 300 milionë arabët e kohës, që sot janë 800 milionë. Ata kanë paguar një çmim gjaku shumë të lartë që të rikthehen aty dhe ta mbajnë, dhe natyrisht sot nuk do ta lënë që të vijnë në Zvërnec që të hanë ngjala.

Dhe sa i takon muzeut të Labërisë, për hir të së vërtetës unë nuk njoh ndonjë vlonjat që ka vizituar këtë muze. Nuk di të ketë qenë pikë atraksioni turistik dhe, megjithëse kam kaluar me qindra herë aty, nuk e dija se ekzistonte. Ngritja e çështjes së muzeut hebraik, me këtë rast, le të shërbejë që të bëhet edhe ai i Labërisë. Labëria ka histori të madhe që meriton një muze të madh. Por ai hebraik nuk i prish punë dhe as i bën hije. Përkundrazi, duke qenë “sui generis” në llojin e vet, do të sjellë më shumë vizitorë të huaj, që krahas vizitës në një muzeum që e njeh bota si ai hebraik, do të mësojnë se ka një histori të vetën edhe ajo krahinë e kështu ta përcjellin gojë më gojë. Zgjidhjet që pretendohen për një pavijon të ngulimit hebre në Vlorë brenda muzeut të Labërisë janë gjysmake. Një muze hebraik është lajm për botën dhe pastaj do të vizitojnë edhe atë të Pavarësisë dhe të Labërisë. Por nuk vjen kush të vizitojë muzeun e Labërisë që të shikojë një stendë të hebrenjve. Kjo është çështje “Public Relation” dhe jo një mënyrë që të justifikojë pushtimin që do na bëka Izraeli.

Hebrenjtë kanë qenë pjesë e historisë së Vlorës, duke arritur deri në 40% të popullsisë së saj, siç kanë qenë pjesë e çdo qyteti-port në Mesdhe, për vetë karakterin e ekonomisë dhe zejeve që ushtronin. Pak prej tyre qëndruan në Vlorë dhe, derisa ikën në eksodin e fundit të tyre, ishin bashkëqytetarë të tyre të dashur. Para pesë vitesh kam dëgjuar një histori prekëse të një ish-mësueseje të besimit hebre, që nuk pranoi të ikte në Izrael, por qëndroi në Vlorë, ku meqë nuk kishte fëmijë, mbeti e vetme. Çdo mbrëmje shkonte dhe flinte tek urgjenca e spitalit, pasi kishte frikë të flinte vetëm. Infermierët i kishin lënë një dhomë me një krevat dhe ajo çdo natë shkonte aty, pinte para gjumit një cigare me ta dhe flinte, për t’u çuar në mëngjes dhe, pasi pinte kafen dhe cigaren e mëngjesit me infermierët e turnit, shkonte në shtëpinë e saj. Kjo është Vlora e vërtetë, që i mbrojti hebrenjtë edhe kur i kërkonin me qiri për t’i vrarë, por që edhe i kishte pjesë e gjymtyrë të saj. Ndaj të krijosh probleme dhe të ngjallësh tensione me legjenda se po na shesin atdheun, këtë vetëm një i lig e bën. Prania e hebrenjve, forcimi i marrëdhënieve me ta do të ndikojë jo që Vlora të shitet, por të bëhet një aset sigurie edhe për Shqipërinë në të ardhmen dhe të ndikojë që të ketë edhe prosperitet ekonomik. Ndaj, nëse po shet Rama, Vlorën, kjo ka lidhje vetëm me gjetjen e fabulës që këtu të vijnë investitorët dhe turistët. Të tjerat janë broçkulla që delirantët duan për pesë minutat e tyre të lavdisë, qoftë kjo para Kryeministrisë apo Sheshit të Pavarësisë./dritare.net