Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Si e takoi Fjorda, Princeshë Sissin, në Vjenë!

Si e takoi Fjorda, Princeshë Sissin, në Vjenë!

Nga Fjorda Llukmani Kisha dëgjuar e lexuar lloj e soj historish për haremet e sulltanëve dhe mbretërve, por për një princeshë më dukej pak e çuditshme. Ja pra që paska qenë njëra në Vjenë me emrin Sissi, e cila e kalonte kohën e lirë duke bërë orgji me meshkujt e oborrit mbretëror. Këtë muhabet ma thotë shoqja ime Alissa, që na shoqëroi në turin e Vjenës. “Ku do shkojmë tani?”-e pyes unë gjithë kurjozitet. “Do vizitojmë Schoenbrunn Palace, që ka jetuar princesha Sissi bashkë me haremin e saj”-ma kthen ajo. Princeshë? Harem? Mu në mes të Vjenës? Sytë xixa unë direkte. “Urgjentisht gjithë grupi tek pallati i Siss rruspies”-bërtas unë gjithë qejf që zbulova diçka interesante. Gjithmonë kam qenë për barazinë gjinore, por deri në këtë pikë s’më kishte shkuar mendja kurrëëë. Si ka mundësi që e ka lënë burri të bënte këtë jetë një herë? Po kalamaj a kishte kjo dreq? Po populli çfarë thoshte për një princeshë që bënte seks me kë t’i dilte përpara? Aty i thashë vetes stop Fjord, po mendon fiks si shqiptare. Mu kujtu thënia në filmin shqiptar “Po bota, ç’do të thotë bota?” E kujt i plas për botën kur je princeshë dhe populli të duket një tufë plebenjsh. [caption id="attachment_294304" align="alignnone" width="555"] Princeshë Sissi[/caption] Nisemi për tek Schoenbrunn Palace që ndodhej pak larg qendrës. Mbase me metro diku tek 20 min, ama është ndër pikat kryesore që duhen vizituar. Me sa duket burri i Sissit ishte mbret dhe ai e kishte ndërtuar pallatin vetëm për të. Sigurisht që kjo dreq e përdorte për kënaqësinë e saj personale. Kur hyje në derën e pallatit ishte një zonë e madhe me shtëpiza për rastin e festave. Pafund vizitorë sepse hyrja ishte pa para. Të gjithë vinin për të parë kopshtet magjepse të pallatit, por harronin që në dimër nuk ka lule. Sigurisht dhe unë që jam nul në biologji pretendoja të shikoja lule si fotot e Internetit, por opingat e Sheros. Nejse, pallati ishte gjigand dhe ja vlente jashtë mase vizita, sidomos në periudhë pranvere. Tek vërdalliseshim mendoja se pse Sissi kishte zgjedhur këtë formë argëtimi. Kam dëgjuar që është një sindromë “addicted to sex” që do të thotë të jesh i varur ndaj seksit. Pastaj fillova të mendoj që në atë kohë, bëhet fjalë rreth viteve 1800, nuk ka patur televizor. Maksimumi i argëtimit ishin ballot që organizoheshin për të kërcyer. E çfarë do bënin njerëzit në ditë të ftohta përvec seksit? Por këta vjenezët paskan qenë edhe perversa dreqin. Shumicat e statujave lakuriq, mundësisht dhe organet gjenitale jashtë. Në fund të kopshteve që nuk ua pamë lulet, ndodhej shatërvani Neptune me skulptura gjysmë lakuriq. Shumë fine duken, me një pamje fantastike të një ndërtese në kodër. “Mos më thuaj që do ngjitemi atje lart”- i them Alissës. “Patjetër që po,” – ma kthen ajo- “nga atje sipër është një super pamje e pallatit”. Kjo ndërtesë quhej Gloriette dhe prej aty shikohej një pjesë e Vjenës. Kur është projektuar pallati fillimisht kanë dashur ta ndërtonin aty mbi kodër, pastaj një Zot e di pse ndërruan mendje. Rruga për tu ngjitur sipër dukej si peligrinazh në formë zig-zagu. Të gjithë turistët ndiqnin gjurmët e njëri tjetrit. Ndaluam pak për të shijuar pamjen, pasi ky pallat ishte aq i madh sa u lodhëm. Po mendoja se pale princeshë Sissin e mbanin zarat e saj në krah për ta sjellë deri këtu lart. Mbase ndonjëri i bënte fresk, tjetri masazh, tjetri gjëra turpi. Tamam jetë princesash. Hë mi gra folni, pse ju nuk do e donit një tufë me yzmeqarë të tillë vërdallë?/ Dritare.net