Si e përjetova me frikë, takimin e parë me Pablo Escobar!

Nga Kreshnik Spahiu     

Ishte mbrëmje dhjetori. Shiu që binte me rrebesh dhe vetëtimat drithëruese më penguan ta dëgjoja zilen e telefonit: “Alo Kreshnik, jam Carlos Guerero”.

Carlos ishte shefi amerikan i antikorrupsionit dhe krimit në Shqipëri. Carlos ishte me origjinë bolivian, por jetonte në Uashington prej 30 vjetësh si dhe punonte për USAID. Në atë periudhë administronte të gjithë projektet e zyrave tona për denoncimet e krimit.

“Alo, Alo Carlos mezi të dëgjoj” – i thash: “Çfarë ka ndodhur?”

“Eja urgjent Kreshnik, së bashku me stafin e ngushtë se kemi rënë në gjurmët e kriminelit kolumbian Pablo Escobar- më tha.

Fillova të qesh: “Ndjesë Carlos por Escobar ka shumë vite që e kanë vrarë.”

“Jo, jo Kreshnik, gabohesh. Kemi prova që ai jeton në Shqipëri. Eja urgjent pranë Bllokut dhe do t’ju tregoj ku strehohet Pablo Escobar”- theksoi sërish Carlos

U vesha i habitur dhe i telefonova stafit paksa me ndrojtje pa i treguar arsyet pse na kërkonte shefi.

Pas 15 minutash të gjithë me 3 makina, kishim rrethuar Carlosin dhe prisnim në ankth, se ku duhet drejtoheshim.

Welcome miqtë e mi: Pablo Escobar është gjallë dhe ne duhet t’ia dorëzojmë provat FBI-së: tha Carlos shumë serioz dhe mori drejtimin duke u futur në restorantin me emrin “COLUMBIA”.  Brenda lokali ishte i dekoruar vetëm me fotot e kriminelit kolumbian.

Plasi e qeshura me lot….

Mos qesh Kreshnik- foli Carlos: Pablo jeton në zemrat e çdo shqiptari.  Pas kësaj darke ne do të shkojmë për një kokteil tek Bar: Esco-Bar. Problemi është që janë 5 bare me emrin e tij në kryeqytet.

LEXO DHE :  Foto/ Sekretet që fshehin logot më të njohura në botë

Gjithsesi kur të mbarojmë mund të shkojmë edhe të dëgjojmë muzikë tek pub “Al-Capone” ose te bar: “Corleone”.

Kjo është Shqipëria juaj Kreshnik. Kjo është krenaria e rinisë shqiptare.

Kudo Tirana është pushtuar me emra kriminelësh ndërkombëtar: Don Corleone, Al Capone, Escobar, apo me emra vendesh mafioze Columbia, Siçilia etj. Pa llogaritur komunistin “Che Gevara” që është bërë si hero kombëtar i shqiptarëve!

Kishte të drejtë shefi im latino-amerikan. Befas vrava mendjen dhe për çudi nuk gjeja dot asnjë lokal me emrin Ismail Qemali, Isa Boletini,  Ndre Mjeda, Gurakuqi, Hasan Prishtina…..

As heronj të artit nuk gjeja dot sepse ne s’kemi restorante apo bare që të quhen: Sandër Prosi, Rikard Larja, Kadri Roshi.

Apo këngëtarësh: Vaçe Zela, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi etj.

Larg qoftë po hape ndonjë lokal me emrin Dritëro Agolli, sepse të nesërmen s’do të kesh asnjë klient.

Fundja nuk kanë faj. Me këto emra do të tallej mileti dhe do të falimentonte çdo biznes.

Kjo është Shqipëria ime…..

E gjitha kjo histori m’u kujtua sot, tek po pija kafen e mëngjesit, në barin poshtë zyrës time në Berlin i cili quhet “Balzac Coffee”.

Ndodhet përballë Restorant “Einstein” dhe nga e majta e Eis-Coffee “Juhann Goethe” ose në të djathtë ndodhet Restoranti portugez “Vasco da Gama”

Ah sikur ta dinte “Vasco da Gama” sa larg oqeanit ndodhej në glob Shqipëria …../Marrë nga Facebook-u i autorit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.