
Flori Mumajesi debat me Kozeta Kurtin: Çfarë arrogance për të gjithë ne syleshët që mbetëm në dorën tënde të na votosh!
Dritare.net
Kënga Magjike përfundoi por diskutimet ende jo. Një shkrim i Kozeta Kurtit një prej anëtarëve të Jurisë së Këngës Magjike, shkaktoi pakënaqësi për grupin Three Dots.
Flori Mumajesi ishte ai që reagoi i pari, duke shkëputur një pjesë të shkrimit të Kozetës për ta komentuar. Flori shkruan në instagramin e tij se është një shkrim i nxitur nga mllefi.
“Çfarë arrogance për të gjithë syleshët që mbetëm në dorën tënde të na votosh dhe të na vendosësh epitetet më pas”, shkruan Mumajesi.
Pas kësaj nisur nga shkrimi i Kozetës që përdor termin ‘sylesh’ Three Dots-at kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale ku publikojnë video dhe foto me një filtër instagrami.
Sot Kozeta iu përgjigj edhe një herë përmes një shkrimi të gjatë ku thekson se reagimi i grupit të këngëtarëve është një mënyrë hakmarrjeje për votimin në Këngën Magjike.
“Mbrëmë pata një dyndje etiketimesh në instagram nga skuadra e 3 pikëshave, apo 3 Dots-ave, të cilët, si kukulla me tel që i lëviz një dorë sa andej-këtej, po më kujtonin një pjesë nga shkrimi im, i publikuar menjëherë pas finales së Festivalit “Kënga Magjike” a thua se ma kishte shkruar dikush tjetër; të nxjerrë totalisht nga konteksti që preferoj ta konsideroj të ketë ndodhur me dashje e vetëdije të plotë, si mënyrë “hakmarrjeje” për votimin tim në Jurinë e Këngës Magjike, pasi do zhgënjehesha vërtet shumë nëse koefiçenti i inteligjencës së “label-it” më me influencë të momentit, të jetë realisht në ato nivele. ri pikëshat na qenkan fyer se unë paskam krahasuar artistët me eskortat. Në fakt jo, unë kam “krahasuar” eskortat me artistët; çka do të thotë që fshehur nën kostumin e artistëve punonjës dhe punonjëse të seksit të luksit “bëjnë” muzikë (edhe biznes, edhe modë, edhe këshillim), por veçova muzikën, sepse po flisja për një ngjarje me kryefjalë muzikën.
Nëse ndonjëri/ndonjëra brenda apo jashtë Këngës Magjike, mendon qoftë edhe një nano sekond për veten se po shihet nga dikush si eskortë, më vjen shumë keq! Është problemi i saj/tij/tyre, jo imi. I këshilloj terapi te psikologu të rrisë vetëvlerësimin. Kam thënë se kemi nevojë për këngë të mira dhe të ndihmojmë sadopak secili ta shpiem muzikën në drejtimin e duhur, por unë harrova që nuk jam producente muzikore, kompozitore, tekst shkruese që të kem nevojë për lekët e çdokujt që zgjohet në mëngjes për t’u bërë këngëtar/e e të detyrohem t’i them “derrit, dajë”. Dikush thoshte që i kisha ul’ autoritetin FEMRËS... epo unë këtë nuk e bëj që në momentin që një grua apo një vajzë, nuk e etiketoj me termin seksist “femër”, shkruan Kurti në rrjetet sociale. /L.F-dritare.net

















