Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Qeveria fal gjobat e 10 viteve të fundit

Qeveria fal gjobat e 10 viteve të fundit

Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim që fal një sërë gjobash dhe masash administrative të vendosura ndër vite ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Vendimi i miratuar këtë të premte parashikon shfuqizimin e të gjitha masave administrative të paekzekutuara që janë vendosur gjatë periudhës 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024.

Falja përfshin gjoba të vendosura nga një sërë institucionesh publike, përfshirë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Inspektoratet vendore të mbrojtjes së territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Të gjitha këto institucione janë të detyruara të hartojnë dhe dërgojnë brenda 30 ditëve listat e gjobave të paekzekutuara përkatëse pranë drejtorive të taksave, me qëllim heqjen e tyre nga sistemi.

Gjobat që do të falen përfshijnë, ndër të tjera, masat administrative të vendosura ndaj qytetarëve për shkelje të masave kufizuese gjatë pandemisë së COVID-19, si dhe gjoba të dhëna për ndërtime apo ndërhyrje pa leje për qëllime banimi apo bujqësie në zonat rurale.

Po ashtu përfitojnë nga falja edhe subjektet që ushtrojnë aktivitet bujqësor apo blegtoral në këto zona.

Sipas vendimit, falen edhe gjobat e Policisë për parkime të gabuara apo shpejtësi tej normave të lejuara.

Falja e gjobave pritet të prekë mijëra familje, pasi sipas relacionit që shoqëroi nismën në Kuvend, vetëm në një vit janë vendosur 1,492 masa për tipologji ndërtimesh pa leje si shtëpi, mure rrethues, çati apo magazina.

Nëse pas këtij afati ndonjë qytetar apo subjekt rezulton ende me gjoba që përfshihen në këtë falje, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë për fshirje dhe, nëse kjo kërkesë refuzohet, mund të ankimojë vendimin në gjykatë./dritare.net