
Kur pritet të dalin rezultatet e para të zgjedhjeve!
Dritare.net
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se rezultatet e para të zgjedhjeve pritet të bëhen publike pasditen e së martës, një ditë pas votimit.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, Celibashi shprehu pritshmërinë që ky proces të jetë më i shpejtë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
“Do të ishte shumë pozitive nëse rezultatet do të shpallen më herët se në zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2023,” tha Celibashi. “Besoj se deri të martën pasdite do të kemi të dhëna të plota për votimin brenda vendit.”
Ai shtoi se aktualisht po punohet për të përmirësuar aspektet organizative dhe infrastrukturore, me qëllim që edhe rezultatet e votimit nga jashtë vendit të bëhen publike brenda këtij afati.
“Ende nuk e dimë se sa do ndikojë numërimi i votave nga diaspora në ritmin e përgjithshëm, por jemi të përqendruar që çdo gjë të jetë brenda kufijve të parashikuar nga ligji,” tha ai./dritare.net

















