Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Shqipëria i ka të gjitha, por s'ka asgjë!

Shqipëria i ka të gjitha, por s'ka asgjë!
Nga Luciano Golemi

Vizioni, nëse s'ka pasion, nëse nuk të frikëson, thumbon, çjerr, ulëret, nuk është vizion.

Frymëmarrjet e shpeshta që kemi bërë se fundmi, nuk kanë qenë aspak të ngjashme me ato të një maratonomaku, që përshkruan distanca paparashikueshmërisht sflitëse, por kanë qenë padyshim sprinte 100 metërsh, nga ata që të përgatisin trupin, të luaj pa frikë në fushë.

Shqipëria, vendi të cilin disa e përbuzin me diellin e parë që troket xhamin në mëngjes, është po e njëjta që e thërrasim me kuisje shurdhuese kur ndodhen larg.

Shqipëria që i ka të gjitha e s'ka asgjë, ndodhet e tronditur mes kontrasteve të mirësisë që fshihet në plasaritjet e shpirtit dhe dashakeqësisë, që bëhet pellg i zi, në trurin e atyre që e shohin si plaçkë për t’i marrë kuç e maç, e çka brenda.

Ka shumë diferenca mes së sotmes dhe të djeshmes. Dje lukunitë ishin me ushtë në dorë, me kokë nga qielli, mbase (nuk është çudi) mendonin si të vidhnin yjet e t’i fusnin në "trastën" e tyre, apo të bënin pazare e t'ia jepnin shkëlqimin e tyre kujtdo që i ofronte diçka për interesa vetjak, shqiptarët, të dytët!

Sot, nuk është pranverë, as diell ne qiell blu.

Por, ka dritë, padyshim ka edhe re, të zeza skëterre, që lëvizin mbi koka e gjithsekujt për t’i mbyllur ato paralele ku drita çan, gjithmonë.

Dje, nuk pyes dot e as di të them ç'u bë. Çfarë nuk u bë!

Partia "dy gishtat lart", që i vari ndër ta shqiptarëve çdo sakrificë dhe pastaj i tororiste me papërgjegjshmërinë e saj nëpër rrugë, duke mbrojtur skeletet e kauzave të saj të vrara në hap të parë, hedhur.

Sot, Shqipëria nuk është Gjermani si ç' ishte (në ëndrrat e Berishës), por rend në ritmin e "nervit" të Evropës.

Shoh Tiranën, edhe pse në të pambarimtë të fjalisë, ndokush thotë se Shqipëria nuk është Tiranë e gjitha.

Jeta këtu nis e çakërdisur, mes tymit, trafikut, ngjyrave dhe shumëfarësoje aromash,  por ka nerv të gjallësh që i japin vrull çdo cepi Tirane.

Lali e nisi punën në Bashki, me rregullimin e akrepave të sahatit, hedhja e shikimit mbi kullë nuk është më e dyshimtë. U kritikua për show, por "show must go on" nëse ka punë të mira, që inspirojnë.

Pyetja që më vjen pastaj është: Ku qëndron problemi me ne?

Nuk mungojnë as përvojat, as nevojat e brendshme që krijohen rreth si shtëllunga tymi mes mushkërive për t’u ndjerë njësoj si vendet e tjera. Si ato që progresin e masin me intelektin, ndryshimin me dëshirën, të bukurën me forcën e hekurt të mosndaljes.

Ku dreqin çalojmë, pse s'jemi si ata?

Nga qaramanlliku, ankesat, shpifjet, përbaltjet, politika? Nga se, pse?

Dhe brof ndokush të justifikojë dështimin vetjak me kauza politike. Broçkulla. E kanë fajin ata, e bën ata, vodhën ata, ata, ata!

Në Shqipërinë që zgjodhëm të jetojmë, askujt nuk i rreket të jetojë në copëzën e diellit që i takon. Jo për indiferentizëm social, por për të realizuar veten, për t’u marrë me veten, për tu zhvilluar e më pas të ofrojmë ç'mundemi

Shqiptarët po fillojnë ta refuzojnë inferioritetin ndaj vetes, guxojnë çdo ditë e më shumë për të ecur sinkron të tjerëve, krah Evropës.

Ka probleme sa të duash, por ka dhe vullnet për t'ia dalë, qoftë edhe nëse ecim me çap breshke, por ngadalë e të sigurt, përpara!/Dritare.net