
Vatra Çikago, shoqata që bashkon shqiptarët në një qytet me shumë ndasi
Dritare.net
Në një kohë kur shumë organizata shqiptare në diasporë kanë mbetur vetëm emra në letra ose janë kthyer në grupe të mbyllura, një shoqatë në Chicago ka arritur të bëjë të kundërtën: të krijojë një komunitet të gjallë, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Quhet “Vatra Chicago” dhe është një nga degët më të reja të shoqatës së njohur patriotike “Vatra” me qendër në New York, por që në vetëm dy vite e gjysmë ka fituar respektin dhe dashurinë e gjithë komunitetit shqiptar në Illinois e më gjerë.
Në emisionin Shqip në Dritare TV, gazetarja Rudina Xhunga bashkëbisedoi me drejtuesit dhe anëtarët e kësaj shoqate të jashtëzakonshme: Mirela Kanini- kryetare e Vatrës në Çikago, Ernest Nasto, nënkryetar, Emanuela Cako, shefe kabineti, Blerta Hasimi, Shkelzen Cakeri, Dhimo Jano dhe Ardian Ruci, anëtarë të kryesisë, që e kanë kthyer “Vatër”-ën në një vatër të vërtetë shqiptarie.
Çfarë e bën “Vatra Chicago” të veçantë?
Sipas Mirelës, gjithçka nisi me një grup të vogël njerëzish që kishin një qëllim të madh: të krijonin një degë të re të “Vatrës” në Chicago, ku të gjithë shqiptarët, pa dallim treve, feje apo bindjesh politike, të ndiheshin të mirëpritur dhe të përfaqësuar.
“Ne punojmë të gjithë pa pagesë. Madje ndodh shpesh që japim edhe nga vetja për të mbuluar nevojat e organizatës. Por kemi fituar një besim të madh në komunitet. Dhe kjo na ka ndihmuar që të gjejmë gjithmonë biznesmenë shqiptarë që kontribuojnë, që sponsorizojnë aktivitetet tona,” – tha Mirela në intervistë.
Aktivitete që nuk ndodhin shpesh – as në Shqipëri
Turneu i futbollit për fëmijë dhe adoleshentë, organizuar së fundmi nga “Vatra Chicago”, është një shembull i gjallë i punës së tyre. Ishin mbi 100 fëmijë pjesëmarrës, ekipe nga Chicago, Detroit dhe qytete të tjera, uniforma të personalizuara si të Kombëtares, ushqim, medalje, emocione, dhe… himni shqiptar që u këndua në fillim të turneut.
“Një nga momentet më emocionuese ishte kur të gjithë fëmijët kënduan himnin shqiptar dhe ndiheshin krenarë për medaljet që merrnin në Amerikë, si shqiptarë,” – tregoi një nga anëtaret e kryesisë.
Më shumë se sport, një mision për kulturën dhe gjuhën
Në qendër të veprimtarisë së “Vatrës” është ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Dy shkolla shqipe në Chicago, "Arbëria” dhe “Kongresi i Manastirit”, bashkëpunojnë ngushtësisht me shoqatën. Emanuela, një nga mësueset vullnetare, tregoi se këto shkolla funksionojnë çdo fundjavë dhe kanë gjithnjë e më shumë nxënës.
Shumë prej anëtarëve të “Vatrës” japin mësim, ndihmojnë, ndërmjetësojnë edhe për libra dhe materiale mësimore. Ata bëjnë thirrje që edhe shteti shqiptar të angazhohet më shumë për të ndihmuar shkollat shqipe në diasporë.
Bashkim në një komunitet të fragmentuar
Në një qytet ku operojnë 5–10 shoqata shqiptare me histori të gjatë, “Vatra Chicago” ka arritur të bëjë dallimin duke mos përjashtuar askënd. “Ne nuk pyesim se nga je, por të ftojmë të bashkohesh. Kemi shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva. E rëndësishme për ne është që të jemi një trup, një zë, një vatër,” – tha Blerta.
Shoqata ka organizuar edhe aktivitete edukative për të njohur më mirë sistemin politik amerikan, me synimin për të rritur përfshirjen e shqiptarëve në jetën publike të SHBA. Ka ftuar mjekë shqiptarë për të folur mbi shëndetin mendor dhe fizik, një temë ende tabu për shumë familje.
“Vatra” ndihmon edhe personat në nevojë, shpesh në mënyrë diskrete. Ka raste kur kanë ndihmuar me pagesa faturash, gjetje pune apo edhe ndihmë pas tragjedive familjare. Ata nuk marrin asnjë përfitim, por punojnë me mision dhe përkushtim.
Në fund të intervistës, Mirela i bëri një ftesë publike Dritare TV: të realizojë një dokumentar për jetën e emigrantëve shqiptarë në Chicago – për sukseset, vështirësitë dhe trashëgiminë që po krijojnë në brezat e rinj. Një ftesë që do të pranohet me kënaqësi, sepse “Vatra Chicago” është më shumë se një shoqatë, është një dritare krenarie dhe një model bashkimi./dritare.net

















