
Sali Onuzi: Historia e Tomas Stefan dhe lidhja e tij me Enver Hoxhën!
Dritare.net
Historiani ushtarak Sali Onuzi i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tregoi historinë e shqiptaro-amerikanit Tomas Stefan, që erdhi në Shqipëri si shefi i Ndërlidhjes Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Onuzi tregon çfarë marrëdhënieje kishte Stefani me Enver Hoxhën e Shtabin e Përgjithshëm dhe historinë e dashurisë me një vajzë balliste.
“Tomas Stefani ishte shefi i Ndërlidhjes amerikane në Shqipëri. Babai i tij ishte nga Korça, ndërsa Stefan jetonte në Amerikë dhe kishte bërë shkollën si jurist. Kishte gradën e kapitenit dhe iu dha detyra e shefit të Ndërlidhjes Amerikane në Shqipëri. Zbriti në Gramsh, nga aty erdhi te Shtabi i Përgjithshëm. Ai ishte edhe në Kongresin e Përmetit sepse bëri një raport shumë interesant. Ai e shihte me sytë e tij që në Shqipëri po luftohej. Pra nuk ishte i njëanshëm. Nuk kishte lidhje personale me Enver Hoxhën, por i qëndronte afër sepse e shihte që Shtabi i Përgjithshëm dhe partizanët po luftonin. Ai ka dhënë informacione pozitive për ta. Nga marrëdhënia e Hoxhës me Stefan u bënë xhelozë britanikët sepse e dinin që Hoxha shkonte në krahun e Tomas Stefan dhe bisedonin bashkë shqip edhe ata nuk e kuptonin bisedën. Në fund të luftës Tomas Stefani shkon në një nga ballot që bëheshin në Tiranë. Aty njeh një vajzë. I thotë Enver Hoxhës dhe ai i thotë që ajo është balliste. Enver Hoxha donte ta mbante në Shqipëri Tomas Stefanin dhe t’i jepte detyra të rëndësishme sepse i duheshe për marrëdhëniet me SHBA-në. Por ai vazhdoi marrëdhënien me vajzën dhe një ditë iku në Amerikë pa lajmëruar. Kur shkuan në Amerikë u martuan. Pak kohë punoi në Amerikë sepse nuk i vajtën punët mirë. Ai vdiq para vitit 1960. Ndërsa e shoqja jetoi deri në vitet 1990, ishte spikere në Zërin e Amerikës. Kjo është historia e Tomas Stefanit, një burrë që mund të kontribuonte më shumë për Shqipërinë.”, thotë historiani në DritareTV./K.C/dritare.net

















