Na ndiqni edhe në

Shqip

Pse nuk përmbytej Lezha më parë? Inxhinieri Kristo Goga zbulon arsyen!

Pse nuk përmbytej Lezha më parë? Inxhinieri Kristo Goga zbulon

Inxhinieri Kristo Goga i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV thotë se Lezha historikisht nuk ka qenë qytet që përmbytej, por situata ka ndryshuar si pasojë e ndërhyrjeve të gabuara në sistemin kullues dhe urbanistik. Sipas tij, përmbytjet e sotme nuk janë fenomen natyror, por pasojë direkte e shkatërrimit të kanaleve dhe e shtimit të ndërtimeve pa kriter.
“Lezha nuk përmbytej. Qyteti nuk përmbytej,” thekson Goga, duke sqaruar se edhe në kushtet e reshjeve të forta, përmbytjet ndodhnin vetëm në zonën fushore dhe jo brenda qytetit. “Sot, mjafton të bjerë një shi i keq dhe Lezha mbytet. Uji hyn deri në pallate,” shprehet ai.



Sipas inxhinierit, arsyeja kryesore është shkatërrimi i kanalit që mblidhte ujërat e kodrave dhe të malit përreth qytetit. “Nga zona e spitalit, që nga Manatia, kalonte një kanal që mblidhte ujërat e malit dhe i nxirrte jashtë qytetit, ose në Drinin e Lezhës, ose në kanalin e Manatisë,” shpjegon Goga. “Sot ai kanal është prishur.”
Ai thekson se me prishjen e këtij kanali dhe me ndërtimet e shumta në zonat e larta, uji nuk ka më ku të shkojë dhe përfundon në qytet. “U prish kanali, u ndërtua, u mbyt. Ka mbaruar,” shprehet ai, duke e cilësuar problemin si teknikisht të thjeshtë për t’u kuptuar.
Sipas Gogës, zgjidhja ekziston, por sot ka kosto shumë më të lartë për shkak të ndërtimeve të paligjshme. “Ka zgjidhje, por tani është me kosto. Pyetja është: çfarë do bëjmë? Uji i malit nuk duhet të futet në qytet. Kjo është më e rëndësishmja.”
Sipas tij, edhe në zonat që sot përmbyten, mund të vendosen stacione pompash për të nxjerrë ujin jashtë.
“Vendos aty një stacion pompash, një pompë automatike,” thotë Goga, duke sjellë si shembull një rast konkret. “Te Manastiri i Kolkondasit në Libofshë, që është një manastir i vjetër, unë kam bërë sistemin e largimit të ujit dhe kam vendosur një pompë automatike. Nuk përmbytet më.”/K.C/dritare.net