
Kush e mbështet ndarjen Shqipëri-Kosovë! Flet studiuesi Agim Vinca!
Dritare.net
Studiuesi Agim Vinca në Shqip nga Rudina Xhunga, DritareTv shpjegoi se pse gjatë viteve të fundit, kërkohet krijimi i një kombi kosovar.
Zoti Vinca u shpreh se këto “nisma” mbështeten nga parti politike të cilat kërkojnë përçarjen e shqiptarëve, edhe pse me vite të tëra heronj të shumë kanë luftuar që të kemi vetëm një Komb.
“Ka një tendencë të një kategorie njerëzish, intelektualë, shkrimtarë, të një filozofie që ata e quajnë kosovo-centriste. Përdorin termin serb se ne i themi Kosovë, jo Kosovo. Marrëzia arrin deri aty sa kërkohet krijimi i kombit tjetër, jo në Maqedoni as Shqipëri, sigurisht. Kosova është shtet fatmirësisht mbas një lufte shekullore, ka identitet politik, askush nuk e mohon. Pasi duke qenë shtet do të ketë edhe himn dhe flamurin e vetë. Në Kosovë më shumë se 90% e banorëve janë shqiptarë, ka dhe serbë që janë shtet-formues por nuk e njohin shtetin. Gjuha serbo-kroate është gjuhë zyrtare në Kosovë, në gjithë territorin, se kjo nuk dihet shumë në Tiranë. Askush nuk i prek, janë në mbrojtje të shtetit, flasin shkruajnë. Në televizionin e Kosovës ka një kanal të veçantë për programin serbo-kroate dhe për minoritet e tjera.
Tani ka dalë kjo tendencë, që është anti-kombëtare që prapa saj ka qëndruar një parti politike. Unë jam rritur në familje me ëndrrën e bashkimi të trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht. Kongresin e Berlinit fillimisht, pastaj në Konferencën e Londrës, të gjitha organizatat politike ilegale këtë program kanë pasur. Duke nisur nga e famshmja Lëvizja Revolucionare për bashkimin e Shqiptarëve e Adem Demaçit që ka bërë 28 vite burg për këtë. Më vonë me rënien e komunizmit, kur Jugosllavia e atëhershme kaloi në pluralizëm dhe u formua partia e parë në Kosovë që u quajt “Lidhja Demokratike e Kosovës”, duket edhe me sugjerimin e ndërkombëtarëve, Kosova do të aspironte që të bëhej e pavarur, sepse ishte zgjedhja më e lehtë dhe e pranueshme. Por për serbët as sot nuk është e pranueshme, as për Beogradin zyrtar. Kjo parti, njerëzit e saj, qëndrojnë pas kësaj ideje, disa individë dalin dhe identifikohen me të.
Ndonjëherë edhe ne shqiptarët vuajmë edhe nga “sindroma e Herostratit”, për të dalë nga anonimiteti. Për ta konstatuar një vlerë dhe personalitet, siç ka bërë Herostrati për të djegur tempullin e Artemidës. Është një patologji e kohës tonë, por detyra e intelektualëve shqiptarë, studiuesve, në Tiranë, Shkup, Tetovë, kudo, është që ne t’ju kundërvihemi këtyre tendencave. Pasi jemi një Komb, kemi të njëjtën traditë, gjuhë, vlera identiteti, heronj që e kanë mbajtur gjallë frymën liridashëse të këtij Kombi”, u shpreh zoti Vinca./M.K-dritare.net

















