Inxhinieri: Shqipëria po reagon mirë në emergjencë, por dështon në parandalim!
Dritare.net

I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, inxhinieri i njohur i hidroteknikës Dhimitër Vogli tha se problemi kryesor i përmbytjeve në Shqipëri nuk është mungesa e reagimit në emergjencë, por dështimi i sistemit të parandalimit.
Sipas tij, kur ndodh katastrofa, shteti arrin të funksionojë:
“Sot emergjencat civile janë relativisht mirë të organizuara për ndërhyrjen në momentin e fatkeqësisë: vijnë në kohë, kanë mjete, makina, ushqime, logjistikë. Kjo anë funksionon.”
Por thelbi i problemit, thekson Vogli, është parapërgatitja:
“Ajo që çalon fort është ana tjetër: parapërgatitja. Ne reagojmë pasi uji ka hyrë në shtëpi, por nuk punojmë që uji të mos hyjë fare. Ende nuk është e qartë kush mban përgjegjësi për mungesën e saj: bashkia, ministria, qeveria qendrore? Pa ndarë përgjegjësinë, nuk mund të gjesh zgjidhjen.”
Sipas Voglit, një nga arsyet kryesore të këtij dështimi është shkatërrimi i strukturës teknike shtetërore që dikur mbikëqyrte sistemin e ujërave:
“Dikur Shqipëria kishte institute shtetërore dhe specialistë që e njihnin të gjithë sistemin: argjinaturat, kanalet, hidrovoret dhe veprat mbrojtëse. Sot kjo nuk ekziston më.”
Ai thekson se projektet sot realizohen të copëzuara, pa një vizion të përbashkët:
“Projektet bëhen nga firma të veçuara. Ai që ndërton një urë të re nuk e di çfarë ka bërë ai që ka ndërtuar të vjetrën.”
Vogli shton se mungon një strukturë shtetërore që ta shohë të gjithë sistemin në tërësi:
“Nuk ka një bërthamë shtetërore që ta kontrollojë sistemin. Nuk ka kontroll teknik real.”
Sipas tij, as ministrat nuk mund të zëvendësojnë dijen teknike:
“Kjo nuk është punë politike. Kjo është punë inxhinierësh.”
Zgjidhja, sipas Voglit, është e thjeshtë dhe shumë më pak e kushtueshme se dëmet nga përmbytjet:
“Duhet një grup i vogël specialistësh shtetërorë, 10–15 vetë, që të njohin çdo digë, çdo argjinaturë, çdo kanal dhe çdo hidrovore. Kjo do të kushtonte shumë pak, krahasuar me qindra milionë euro që shteti paguan sot për dëme.”, thotë Vogli./dritare.net






