Shqipëria ka nevojë për një institut për emergjencat natyrore! Flet inxhinieri!
Dritare.net

Në një intervistë të dhënë në emisionin "Shqip" nga Rudina Xhunga në Dritare TV, inxhinieri i njohur hidroteknik, Dimitër Vogli, theksoi se Shqipëria ka nevojë për krijimin e një instituti të specializuar për trajtimin e problemeve që lidhen me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Ai theksoi se edhe pse vendet fqinje, si Kosova, Maqedonia, dhe Serbia, kanë institute të fuqishme dhe të specializuara në këto fusha, Shqipëria nuk ka një të tillë, edhe pse kjo është shumë e nevojshme për të adresuar problemet e natyrës dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme. Sipas Voglës, specialistët vendas duhet të kenë një rol të rëndësishëm në këto procese, sepse ata njohin më mirë realitetin dhe sfidat lokale, ndryshe nga ekspertët e huaj që mund të kenë njohuri më të përgjithshme, por jo gjithmonë të përshtatshme për nevojat e vendit.
Dimitër Vogli theksoi se, edhe nëse nuk krijohet një institut i plotë, Shqipëria mund të ngrejë një bërthamë specialistësh, për shembull, një grup prej 10 personash që do të merrnin përsipër monitorimin dhe trajtimin e emergjencave natyrore.
Sipas tij, nevoja për të hapur një institut të dedikuar është urgjente dhe duhet të kuptohet nga ata që kanë autoritetin për ta bërë këtë, si Ministria e Mjedisit dhe Qeveria.
Vogli gjithashtu përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me specialistë të huaj, duke përmendur Hollandën si një shembull të mirë. Ai theksoi se Holanda ka ekspertizë të madhe në fushën e menaxhimit të ujërave dhe parandalimit të përmbytjeve, por shtoi se edhe ata, pavarësisht përvojës së pasur, duhet të kuptojnë dhe të përshtaten me problemet specifike të Shqipërisë.
“Ministria e Bujqësisë do duhet ta kishte një organizim të tillë, kjo është një nevojë e madhe që duhet ta mbushim. Shumë shtete përreth nesh kanë institute të tilla Kosova, Maqedonia, Serbia. Serbia ka një institut nga më të mirët në botë. Por ne e kishim dhe e prishëm institutin tonë.
Inxhinieri i njohur gjithashtu theksoi se do të ishte më efikase që qeveria të investonte në krijimin e një institucioni të tillë, sesa të vazhdonte me demshpërblime të përhershme për banorët që preken nga katastrofat natyrore. Ai theksoi se, në fakt, krijimi i një instituicioni të dedikuar do të ishte më pak i kushtueshëm në afat të gjatë, krahasuar me shpenzimet e përhershme për demshpërblimet që i kalojnë çdo vit./dritare.net