Flet gazetari investigativ, Guy Lawson: I gatshëm të dëshmoj në SPAK për Gërdecin!
Dritare.net
Guy Lawson, gazetari investigativ amerikan, thotë se është i gatshëm të japë dëshminë e tij në SPAK, në mënyrë që tragjedia e Gërdecit, të zbardhet dhe përgjegjësit, të dënohen. Në një rrëfim ekskluziv në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare, Lawson tregon çfarë di ai për çështjen e Gërdecit, kush janë dëshmitarët kyçë që mund të çojnë në zbulimin e së vërtetës.
Rudina Xhunga: A keni ju dokumente ose dëshirë që t’i bashkoheni si dëshmitar drejtësisë shqiptare?
Guy Lawson: Epo ja, tani jam duke folur me ju. Por nuk do e kisha aspak problem të flisja edhe për SPAK-un, nëse kjo është ajo çfarë kanë nevojë. Unë mendoj se njerëzit më të përshtatshëm për të dëshmuar, janë, për shembull Luan Hoxha, i cili është në mërgim në Amerikë. Mendoj se do të ishte shumë e dobishme që ambasadori amerikan, që shërbeu në vitin 2008 së bashku me atasheun ushtarak, të vinin të përgjigjeshin.
Mendoj se ata mund të flasin sinqerisht për atë që ndodhi në ato ditë dhe javë. Gjithashtu, mendoj se do të ishte shumë interesante të kishit zotin Efraim Diveroli, i cili ishte një nga çunat, një nga tregtarët e armëve, që ishte në Tiranë dhe që u regjistrua në telefonatë nga një zotëri i quajtur Kosta Trebicka, i cili më pas vdiq në rrethana shumë misterioze. Nuk do të hyj në të gjitha detajet e librit, por duhet të pyesni veten, si arriti një djalë 19-vjecar nga Miami, të shpikë një histori për djalin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, të shpikë një takim me të, nëse nuk e ka takuar kurrë? Si mund të shpikë Efraim Diveroli diçka pa ndodhur në të vërtetë? Këtë nuk di ta them.
Por do të isha i lumtur të ndihmoja dhe mendoj se ata do të bënin mirë të lexonin librin tim dhe nëse duan pyetje të mëtejshme, do të isha i lumtur të ndihmoja aq sa mundem. Por përsëri mendoj se ka njerëz të tjerë që duhet të flasin. E di që ka pasur dëshmitarë në Gërdec që kanë parë njerëz që vinin e shkonin. Nëse duan të më pyesin se cilët janë ata njerëz, unë mund të përdor emrat e tyre. Çfarë shpresoj nga SPAK-u është që të jetë duke bërë gjithçka që mundet dhe të arrijë tek e vërteta sa më shpejt.
Rudina Xhunga: Ju e keni takuar Luan Hoxhën? Foli ndonjëherë ai për ju?
Guy Lawson: Jo, nuk jam takuar, por kam raporte për takimin që ai pati me zyrtarë të lartë në Tiranë, duke thënë se ai kishte frikë për jetën e tij, dhe sesi shqetësimet e tij u morën seriozisht aq sa qeveria amerikane, nuk ka rëndësi për çfarë arsye, pasi nuk e treguan kurrë, e nxori Luan Hoxhën nga Shqipëria. Ky fakt flet shumë për pamëshirën e njerëzve që u përfshinë në tragjedinë e Gërdecit dhe gjithashtu për mënyrën se si qeveria amerikane nuk ka bërë realisht adresimin e duhur të këtyre çështjeve dhe kontekstit shqiptar.
Shtetet e Bashkuara vërtetë kanë fuqinë për ta bërë shoqërinë shqiptare të ketë besim ndaj drejtësisë dhe vetëm kështu mund ta bëjnë, në vend që t'i groposin këto gjëra, duhet t’i nxjerrin ato në sipërfaqe dhe ta trajtojnë popullin shqiptarin me respekt. Mendoj se ky do të ishte një shërbim shumë më i mirë sesa të bëjnë foto me një person i cili sapo është trajtuar si politikan i korruptuar nga investiguesit shqiptarë dhe pas tre ditëve shfaqet në Uashington duke shtrënguar duart me dikë që duhet të jete më i informuar para se të pranojë t’i japë dorën dikujt që duhet të japë llogari./L.F-dritare.net