
Çështja e McGonigal dhe lidhja e tij me Ramën! Flet gazetari investigativ amerikan
Dritare.net
Gazetari investigativ amerikan Guy Lawson, në një intervistë ekskluzive për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në Dritare TV foli edhe për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, lidhjen e tij me Shqipërinë dhe përfshirjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në këtë çështje.
Rudina Xhunga: Po bëj dhe një ndalesë në këtë aktualitetin tonë. E keni ndjekur në shtypin amerikan, atë që në shtypin shqiptar është çështje e ditës? E kam fjalën për Charles McGonigal.
Guy Lawson: Po e ndjek me shumë, shumë vëmendje dhe mbase do jetë projekti im i radhës, edhe pse nuk e di se si do përfundojë. Por duket qartë se oficeri i FBI-së që ka bërë diçka të paligjshme. Fakti që përfshin shqiptarë që me sa duket paguajnë ryshfet, nuk është befasuese. Por fakti që një ish-agjent i FBI-së asociohet me një ngjarje të tillë është çmenduri. Unë sapo mbarova së shkruari një libër dhe skenarin e filmit mbi atë libër, që ka të bëjë me sportet, si basketbolli dhe futbolli, në kolegjet amerikane. Unë nuk jam një adhurues i sporteve të kolegjit, por është historia e një mashtrimi, ku një agjent i FBI-së u infiltrua për disa vite dhe regjistroi duke zbuluar korrupsionin e madh në sportet e kolegjit, por ajo që është interesante është fakti që FBI-ja e hodhi në kosh atë çështje.
Kështu që i njoh shumë mirë dështimet e zyrës së Nju-Jorkut, në veçanti FBI-së, dhe mendoj se ajo që do të dalë në pah janë problemet serioze, veçanërisht me zyrën e FBI-së në Nju Jork. Unë kam shkruar për policët në Nju-Jork dhe përreth Nju-Jorkut për rreth 25 vjet dhe nuk më habit fakti që McGonigal ka menduar se mund të shpëtonte. Një nga shenjat dalluese të njerëzve që futen në telashe është se ata mendojnë se të gjithë të tjerët janë budallenj, por më pas del se janë ata budallenjtë e vërtetë.
Rudina Xhunga: Vërtetë ishte ish e dashura ajo që e demaskoi Charlie-n?
Guy Lawson: Kështu duket. Ajo duket të jetë një figurë mjaft e pazakontë në vetvete. Më duket se ajo po jeton në shtëpinë e Rudy Giuliani, që ndoshta nuk është vendi më i mirë në botë ku mund të varësh shpresat, sepse zoti Giuliani tani po jeton në botën e tij të fantazisë, i është mbyllur zyra e avokatisë, reputacioni i tij është shkatërruar.
Nuk e di pse ajo grua dëshiron ta shkatërrojë atë, por mesa duket ka folur se i ka telefonuar gruas së tij gjithë kohës dhe se ishte shumë e zemëruar që e kishte ndarë, por kështu dalin këto gjëra, apo jo. Ka gjithmonë një pjesë njerëzore të çdo historie. Por ajo që mendoj është se zoti McGonigal ka bërë disa gjykime vërtetë të dobëta.
Rudina Xhunga: A dënohet për çështje të tilla, a ka një dënim të rëndë? Apo akoma nuk është e qartë se çfarë ka bërë ai, sepse ne media merremi shumë me pjesën shqiptare dhe agjentët shqiptarë që i dhanë atij lekë, mirëpo nuk dimë mirë pjesën tjetër se çfarë ka ndodhur.
Guy Lawson: Oh po, ai është në një nivel shumë të lartë rreziku. Nëse ai ka marrë para nga aktorë të huaj pa i raportuar ato si agjent i FBI-së, madje edhe si agjent i FBI-së pra në pension, ka ligje shumë serioze federale kundër kësaj. Por përsëri, mënyra se si funksionojnë këto hetime në Shtetet e Bashkuara, zgjat shumë. Shpesh ndodh që hetohen edhe shumë njerëz të tjerë dhe një ose më shumë prej tyre do të fillojnë t'i tregojnë qeverisë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe në atë mënyrë ka për të dalë e vërteta. Për t'u rikthyer te Gërdeci, pikërisht kjo është gjëja që mendoj se duhet të bëjë SPAK-u, pra të gjejë njerëz që thonë të vërtetën për atë çfarë ka ndodhur. Sa i takon zotit McGonigal, mendoj se është vetëm në fillimet e hetimit, por mund të ketë shumë rrezik për të. Do ta ndjek me shumë kujdes.
Rudina Xhunga: Po për sa i përket kryeministrit shqiptar Edi Rama, a keni parë përmendjen e tij për kontaktet e tij me McGonigal? Për çfarë mund t’i duhej ai si një kontakt i tillë në FBI ? A mendoni se ai mund të ndikonte për të shpallur non-grata kundërshtarë të tij politikë?
Guy Lawson: E kam parë lidhjen e kryeministrit të Shqipërisë të përmendur në shtypin amerikan. Nuk është shfaqur aq sa të kuptoja qartë, se cilat mund të kenë qenë motivet e zotit Rama, por nëse ai asociohet me një agjent të FBI-së për para që paguhen në emër të tij, kjo është një shenjë se sistemi politik shqiptar ka nevojë për reformim. Është e vështirë të shihet se si mund të ndodhë kjo gjë nëse vendet e tjera nuk marrin vërtet përgjegjësi për veprimet e tyre të këqija në Shqipëri. Sepse në këtë rast do të ishte një zyrtar amerikan që ka marrë para nga një shqiptar, gjë që duhet të ketë pasoja, në të dy anët e oqeanit.
Nuk e di se çfarë do të ndodhë, nëse kryeministri Rama do të paguajë ndonjë çmim politik apo do të ketë ndonjë rrezik ligjor, nuk e di. Unë nuk e kam parë atë të përmendur.
Rudina Xhunga: Si nuk është përmendur? Sepse opozita këtu, pra z. Berisha, po flet shumë për këtë fakt. Ai po kërkon dorëheqjen e Ramës për shkak të lidhjeve të tij në Amerikë, ndërsa ne nuk dimë çfarë lidhje ka pasur dhe a janë dhënë vërtetë këto lekë, ne emër të tij, diçka që z. Rama nuk e pranon.
Guy Lawson: Epo po, nuk jam i surprizuar, pasi duket se politika është një sport i vështirë në Shqipëri dhe nuk jam aq i surprizuar sepse ka aq shumë mosmarrëveshje në parlament. Por, mendoj se kryeministri Rama, i cili erdhi në pushtet, siç e kam kuptuar, duke premtuar se do të përmirësonte vërtet korrupsionin në Shqipëri, nga ajo çfarë la administrata e mëparshme, nuk do të portretizohet në këndvështrimin më pozitiv. Korrupsioni është pjesë e gjendjes njerëzore, atë mund ta hasësh kudo dhe është i përhershëm. Nuk po pretendoj që Shqipëria një ditë do të kthehet në model të virtytit.
Por të zhgënjesh, si ne rastin e djalit 7-vjeçar në Gërdec, ky është një tjetër nivel.
Unë nuk di shumë për zotin Rama, përveç asaj që thashë, që mendoja se ai po premtonte se do të jetë më i disponueshëm dhe i ndershëm në këtë çështje.
Në librin tim të ri Rudina, kam një pjesë ku përmend se në sportet e kolegjeve ka një gjuhë sekrete se si t’i japësh ryshfet dikujt tjetër. Unë e kam shkruar shqip këtë fjalë në libër, nga që gjithmonë më ka pëlqyer sesi thuhej në shqip korrupsioni. Korrupsion është një tjetër fjalë që unë di në shqip./L.F-dritare.net

















