Çfarë bëri inxhinier Gjadri në tunelet e Qafë-Thanës!
Dritare.net
Inxhinieri Qemal Zyfi i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për punën e jashtëzakonshme të inxhinierit Egon Gjadri. Ai tregon se si inxhinier Gjadri zgjidhi një nga problemet më të vështira që kishte tuneli i Qafë-Thanës.
“Zoti Egon Gjadri është i specializuar për ndërtimin e tuneleve dhe hekurudhave. Ai ka zgjidhur probleme teknike në tunelin e Qafë-Thanës që është i veçantë në llojin e vet për arsye të presioneve anësore. Nuk ka ndodhur ne Shqipëri kjo. Egon Gjadri bëri një skemë gjeometrike që ne e quajmë formë patkoi, duke betonuar bazën dhe thith spintën horizontale dhe e çon në dysheme. Kjo veç ujit të shumtë që doli. Gjithë kjo punë është meritë e Egon Gjadrit dhe unë dua ta them me zë të lartë.”, thotë inxhinier Zyfi.
Kush është inxhinier Egon Gjadri!
Egon Gjadri lindi në Tiranë më 23 maj 1935 nga një familje në të cilën nëna e tij Zejnepe Toptani kishte preardhje nga një familje e pasur pronare tokash në Shqipëri, ndërsa babai Gjovalin Gjadri ( inxhinier i famshëm projektues dhe konstruktor urash) vinte nga një familje shkodrane e borgjezisë së vogël.
Egon Gjadri i kreu studimet e mesme me rezultate të shkëlqyera në Gjimnazin Qemal Stafa në Tiranë në vitin 1953, dhe u diplomua po me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës në vitin 1958.
Përveç pasionit për shkencën e Inxhinierisë së Ndërtimit, prof Egon Gjadri ishte njeri me shumë pasione në jetë, ai ishte gjithashtu edhe studiues i rregullt i Shkencës së Fizikës, Matematikës dhe Astronomisë.
Egon Gjadri kishte pasion sportet, sidomos volejbollin, duke u bërë kështu edhe një nga lojtarët më të mirë të brezit të tij në vitet 50. Një tjetër pasion i tij lidhet ngushtë edhe me shahun.
Egoni e nis karrierën e tij si inxhinier projektues, por edhe si pjesëtar i grupit të projektimit të hidrocentralit të Shkopetit dhe atyre mbi lumin Bistrica (Bistrica 1 dhe Bistrica 2). Gjadri është bashkautor i skemës së shfrytëzimit hidroenergjitik të kaskadës së lumit Drin si dhe bashkautor i bashkëvendosjes së hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit.
Inxhinieri i shquar, profesor Egon Gjovalin Gjadri është gjithashtu edhe projektuesi kryesor i të gjithë tuneleve të hekurudhës shumë të vështirë, Elbasan-Përrenjas, përfshi këtu edhe tunelin më të madh, atë me gjatësi prej 3, 000 metrash në Qafë-Thanë.
Profesori dhe inxhinieri Egon Gjadri është autor dhe bashkautor i librave të ndryshëm si “Ura dhe Tunele”, “Llogaritja statike e veshjeve monolite të tuneleve”, “Digat prej betoni me gravitet në bazamente shkëmbore”, “Veprat e derivacionit me presion në hidrocentrale”, “Llogaritja e digave hark me metodën e ngarkesës provë”, “Veprat e devijimit dhe të shkarkimit të plotave në disa hidrocentrale të vendit tonë”.
Për kontributin e çmuar në vendin e tij, profesori dhe inxhinieri Egon Gjadri u dekorua me urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” i Klasit të Parë, si dhe ka marrë dy herë Çmimin e Republikës së shkallës së parë”. Në nëntor të vitit 1990, Egon Gjadri ishte pjesëtar i grupit të përzgjedhur për shqyrtimin e plotësimeve në Kushtetutën e Shqipërisë, së bashku me emra të tjerë si Dritëro Agolli, Hysen Laçej, Shaban Demiraj, Tish Daija apo Ela Tase. Për shumë vite Gjadri ishte drejtor i Institutit të Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve, detyrë që e kreu edhe në fillim të viteve 90-të.
Në projektimin e hidrocentraleve profesor Egon Gjovalin Gjadri ka rol kryesor. Një kontribut të madh ka dhënë në fushën e projektimit të linjave të tensionit të lartë. Gjatë kësaj periudhe me fillimin e projektimit të hidrocentraleve mbi lumin Drin si anëtar i grupit të projektimit ka marrë pjesë aktive në projektimin e këtyre hidrocentraleve.
Është bashkautor në kompozimin e veprave të hidrocentraleve të Vaut te Dejës dhe Fierzës si dhe projektues i disa veprave, ku kreu një punë të madhe shkencore dhe teknike në fushën e projektimeve dhe duke marrë pjesë aktive në projektimin e hidrocentralit te Komanit, Banjës dhe Nyjës Hidroteknike të Bovillës, të projektimit të hidrocentralit të Bushatit dhe të skicë-idesë së hidrocentralit SKAVICA.
Gjate viteve 1970-1990, profesori dhe inxhinieri Egon Gjovalin Gjadri, ndër të tjera është edhe kryeprojektuesi i rreth 20 tuneleve hekurudhore dhe rrugore.
Me konkretisht, profesor Egon Gjadri ka qenë kryeprojektuesi i 16 tuneleve të hekurudhës Elbasan- Përrenjas- Guri i kuq, të cilat janë të gjatësive të ndryshme duke filluar nga 170 m që është gjatësia e tunelit Librazhd 3, e deri në 3020 m që është gjatësia e tunelit të Qafë-Thanës.
Në hekurudhën Fier-Vlorë në vitin 1976 - 78 ka projektuar Tunelin e Koshovicës me gjatësi 800 m, si edhe Tunelin e Tarazhit në hekurudhën Milot-Klos në vitin 1989 me gjatësi 1040 m.
Tunelin e Shëngjinit në vitin 1981 në hekurudhën Milot-Shkodër me gjatësi 250 m, si edhe tunelet rrugore të Letanit dhe atë te tragetit në Koman.
Të gjitha këto punë të vështira dhe voluminoze do të ishin të pamundura të realizoheshin, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë të Ing. G.Strugës, Ing. Sh.Bumçit, Ing. B.Çekut dhe të Ing. Sokol Komanit.
Në punën për hapjen e tunelit të Qafë-Thanës që ndiqej dhe monitorohej në mënyrë të vazhdueshme edhe nga kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu, në disa zona në thellësi të tij, u ndeshën vështirësi të mëdha si rezultat i faktorëve të ndryshëm që nuk ishin parashikuar në studimin Gjeologjik, këto vështirësi u tejkaluan në sajë të bashkëpunimit të ngushtë me inxhinierët e zbatimit, duke veçuar kontributin e veçantë në këtë drejtim të Ing. Sokol Komanit.
Në fotografitë e postuara më poshtë paraqiten vetëm disa nga librat teknikë dhe shkencorë të shkruar nga Inxhinier Egon Gjadri!
Është e rëndësishme të theksohet se kjo tregon që në veprimtarinë e tij 50-vjeçare si inxhinier krahas punës së tij të palodhur e intensive e studimore dhe projektuese të veprave inxhinierike në të gjithë Shqipërinë nga Vermoshi ne Konispol (tunele, dhe objekte të tjera në hidrocentrale, si dhe projektimin e pothuajse të gjithë tuneleve hekurudhore në Shqipëri), për shfrytëzimin e ujërave të lumit Drin liqeni i të cilit shkakton përmbytje edhe në territorin Jugosllav në zonën e quajtur Gryka e Morinës.
Në sajë të profesionalizmit të anëtarëve të këtij komisioni që në atë kohë kryesohej nga prof.Petrit Radovicka u arrit të nënshkruhej kjo marrëveshje që mundësoi fillimin ne vitin 1971 të punimeve për ndërtimin e HeC-it të Fierzës. Prof.Egon Gjadri ka marrë pjesë aktive në diskutimet që zhvilloi dhe ka merita të veçanta në marrëveshjet që nënshkroi ky komision gjatë veprimtarisë së tij rreth 22-vjeçare për shfrytëzimin e ujërave të përbashkëta me vendet fqinje. Prof.Egon Gjadri ishte kryetar i këtij komisioni nga vitet 1985-1990.
Është meritë e tij dhe e të gjithë anëtarëve të tjerë që në muajin maj të vitit 1987 të nënshkruhej në Athinë marrëveshja dypalëshe me Greqinë për shfrytëzimin e ujërave të lumit Vjosë.
Pas vitit 1990 ky komision shpërbehet, duke mos ekzistuar as sot, në një kohë që vendet fqinje jo vetëm i kanë ruajtur, por në vitet në vazhdim i kanë përmirësuar këto komisione në çdo drejtim.
Inxhinieri dhe profesori Egon Gjadri mbeti që nga fillimi i karrierës së tij inxhinerike dhe deri në fund të jetës së tij një studiues i apasionuar i Shkencës së Hidroteknikës. Këtë e përforcon edhe fakti që punën për një ndër librat e parë të shkruar prej tij në dy vëllime me titull “ Llogaritja Statike e Veshjeve Monolite të Tuneleve” është filluar në vitet e para të punës së tij jo shumë kohë pasi ka marrë diplomën e inxhinierit./dritare.net