
Showbiz parlamentar/ Olta Xhaçka në krahët e Çuçit. Kunetërit e Kuvendit gjithmonë në humor
Dritare.net

Pushteti ta shton afeksionin për kolegun, si në rastin e Xhaçkës me Çuçin
Ministri i Pushtetit Vendor, Bled Çuçi, njihet për natyrën e tij të qetë, jo shumë e hasur kjo mes politikanësh. Politikanët zakonisht janë sanguinë dhe nuk u duhet shumë për t’i nxjerrë nga binarët. Me Çuçin në fakt nuk ndodh kjo. Në debate të ndryshme televizive, ai ruan tonet e ulëta, ndërsa, siç e shihni edhe nga fotoja, në Parlament qetësisë së tij i shton edhe shprehjen e dashurisë për kolegët.
Ai është fotografuar nga paparaci ynë këtë të enjte teksa mbante fort të përqafuar kolegen e tij, Olta Xhaçka. Kujtojmë që Xhaçka ka edhe bashkëshortin e saj koleg në Parlament. Mbase kjo mund të jetë dhe arsyeja që në atë Grup Parlamentar është shtuar aq shumë konfidenca dhe miqësia me njëritjetrin, sepse kanë njohje të më parshme, ndihen mirë meqë janë edhe në pushtet, por kanë edhe lidhje të tilla familjare tektuk. Po e shijojnë, me një fjalë!
Fufi ikën nga PD, po Kaç Islami pse e sheh me kuriozitet?
Një nga lajmet më interesante të kësaj jave në Parlament ka qenë përjashtimi i deputetit të Grupit Parlamentar të PDsë Mhill Fufi, sepse nuk respektoi vendimin e Grupit dhe ndenji në sallë për të votuar ligjet, kur të gjithë kolegët e tij u larguan. Në fakt, Fufi është tamam një deputet liste, tërësisht i panjohur dhe pa ndonjë kontribut në jetën politike, qoftë edhe të zonës së tij, si dhe nuk ka folur një herë në Parlament.
Për herë të parë emrin e tij e dëgjuam nga goja e Tom Doshit, kur akuzonte se kishin dashur ta vrisnin atë dhe Fufin. Dhe siç thotë edhe shprehja “çfarë nuk të vret, të bën më të fortë”, Fufi tashmë është në krahun e “të fortëve”, të atyre që janë në pushtet. Problemi është se aq afër sa rri me Kastriot Islamin, ekziston dyshimi se mos e bind edhe atë të rikthehet te shtëpia e tij e vjetër politike.
Lefter Koka dhe Agron Duka, kunetërit gjithnjë në humor
Dhe meqë jemi duke folur për familjarë dhe kushërinj në Parlament, ja ku i kemi dy të tjerë. Bëhet fjalë për ministrin e Mjedisit Lefter Koka, pjesë e LSI-së, si dhe kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Në rastin e Oltës dhe Artanit, kemi të bëjmë me bashkëshortë, Koka dhe Duka janë kun Në ndryshim nga çifti që përmendëm më sipër, të cilët janë pjesë e një partie, Duka dhe Koka janë në opozitë politike me njëritjetren. Por me siguri kjo nuk i pengon që në darkë të bëhen bashkë dhe të flasin për shumë gjëra, madje edhe për politikën. Mbase mund të jenë të njëjta këndvështrimet e tyre në një tavolinë familjare, por në Parlament ata janë kundërshtarë politikë, por të qeshur gjithsesi!
Shoqëruesit “e pamëshirshëm” që e lënë Patozin të laget!
Çfarë s’të sheh syri në oborrin e Parlamentit, truproja e shofera që vrapojnë që t’u shërbejnë sa më mirë shefave të tyre, që ata të jenë të qetë dhe komodë për t’i shërbyer popullit sa më mirë. Dhe natyrisht që asnjëri prej tyre nuk ka provuar disa siklete përditshmërie që kalon shumica, si p.sh. të të zërë shiu dhe të bëhesh qull. Por njëri e ka provuar këtë të enjte! Dhe ky është Astrit Patozi. Këtë të enjte ai është shfaqur rrugës vetëm duke ardhur nga selia e PDsë te ajo e Parlamentit. Edhe pse nuk është shumë larg si distancë, Patozi, i cili nuk kishte marrë çadër, është bërë qull deri kur ka mbërritur në destinacion.

















