Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Prindërit millenialë dhe përpjekja për të bërë fëmijët të flasin!

Prindërit millenialë dhe përpjekja për të

Nga Malvina Tare

Herën e fundit që isha në lagjen ku banoja prej vitesh në Tiranë, një tjetër tabelë reklame i ishte shtuar radhës së dyqaneve. Pas dyqanit të mishit, të bukës, të ushqimeve, farmacive. Një reklamë tipike tërheqëse, me drita led dhe shkronja të dukshme: “Logopedi për fëmijë”.

Mendimin që më përshkoi direkt nuk e ndala dot. Çfarë po ndodh? Fëmijët tanë gjithnjë e më shumë nuk po shqiptojnë. Them shqiptojnë, sepse nuk mund të them nuk flasin, ata flasin pasthirma, shkronja, gërma, ndoshta dhe fjalë të çala në gjuhë të huaj.
Nuk kuptojnë gramatikën, nuk njohin vetat, foljet, emrat e përveçëm, rrallë e tregojnë emrin, e aspak mbiemrin.
Në rrethet e profesionistëve të mjekësisë logopedi, neuropediatri dhe mjekëve pediatër me të cilët kam bashkëpunuar për realizimin e shumë emisioneve të shëndetit “Dritarja e Doktorit”, jo vetëm kam parë shqetësimin e tyre të shtuar për një diagnozë, e cila po prek këdo pa dallim, si një virus i mënyrës së jetesës.

Këtë përjetim e kanë shumë prindër sot në Tiranë, të cilët ndonjëherë nuk gjejnë forcën për të kundërshtuar atë që duke si “fati i tyre i shkruar”, apo për të ndihmuar në mënyrën e duhur fëmijëm e tyre, i cili nuk flet ende.

Dua të shkruaj për këtë shqetësim gjithnjë e më shumë në rritje, sepse duhet folur, shkruar e treguar, sidomos për fëmijët, edhe kur zhvillimi i tyre në tërësi po çalon dhe mjerisht ne anashkalojmë, bëjmë sikur nuk i shikojmë ose i normalizojmë disa sjellje.
Prindërit e sotëm që i takojnë brezit millenial, padashur kanë ndihmuar në formimin e një “kulture”, ku priten të jenë gjatë gjithë kohës të disponueshëm për shefat, bashkëpunëtorët, familjen dhe miqtë e tyre.
Me një telefon inteligjent dhe rrjetet sociale gjithmonë pranë, ata po përshkruajnë një rrugë sfiduese drejt prindërimit, duke i bërë kështu nënat dhe baballarët millenial, si brezin më të ekspozuar ndaj kritikave publike për rritjen e fëmijëve, më shumë se çdo gjeneratë e mëparshme.

Në të njëjtën kohë, këta prindër të rinj, pasi gjatë rritjes së tyre u është mësuar të synojnë individualitetin dhe vetë-shprehjen si vlerat më të larta, po përpiqen tani t'i drejtojnë familjet e tyre si në një minidemokraci, duke kërkuar konsensus nga bashkëshortët, fëmijët dhe rrethet e miqve online edhe për vendimet më të vogla. Ky brez prindërimi duket se ka marrë përsipër rrugën e vështirë, atë të të rriturit të fëmijëve të tyre duke qenë vetvetja.

Kështu shumë parametra të kornizave sociale dhe ekonomike i japin pa kuptuar formë një realiteti konfuz me të cilin fëmijët takohen. Ata lindin pre e konsumizmit, të kohës dhe mungesës së menaxhimit të së tërës.


Nuk ka më nëna në shtëpi.
Po nuk ka më as gjyshër, sepse shumë familje në Tiranë të ardhur nga qytete të tjera janë pa familjet e tyre, kështu nis mungon një hallkë e rëndësishme e lidhjes fëmijë-prind-të afërm. Fëmija nis të krijoj botën e tij individuale të brendshme, duke i dhënë forma sipas terrenit që ai gjen gjatë rritjes. Çdo brez prindërish zakonisht përpiqet të kopjojë atë që prindërit e tyre bënë mirë dhe të refuzojnë të ndjekin teknikat e prindërimit me të cilat nuk u pëlqente të rriteshin.

Smartphone është kthyer në shoqëruesin kryesor të fëmijëve me prindër në karrierë.
Nëse ai sheh një botë në smartphone, ai kërkon veten në smartphone. Duke e kthyer në shoqëruesin e tij më të rëndësishëm, shpesh edhe për orë të tëra, pa pasur pranë në shtëpi një të rritur që flet, vepron, mendon me të. Ka afër prindër robotikë në kërkim zgjidhjesh për problemin e radhës.

Këshilla e vetme që më vjen në mend pas 5 viteve të rëndësishme të jetës time si nënë është: ndonjëherë është ok të bësh një pushim, sepse një pushim për fëmijën nuk është kurrë një hap pas në karrierë, të takon ta bësh për hir të përgjegjësisë si i rritur.

Shko te gjyshërit.
Shko tek të afërmit.
Shko te shtëpia e mikeve të tua edhe pse fëmija yt do bëj rrëmujë atje.
Bëje fëmijën pjesë të realitetit që flitet dhe foli mos u lodh. Edhe nëse goja e tij nuk po i nxjerr ende fjalët, edhe pse tingujt mezi dalin, ti foli, bëji të tjerët t’i flasin, goja e tij ndoshta akoma nuk po shprehet, por truri i tij flet.
Logopedi është një ndihmë e madhe pa asnjë dyshim, por nga balta të nxjerr vetëm gjuha e dashurisë!
Dhe ajo flitet vetëm në familje./dritare.net