Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Një këshillë për Ermal Mamaqin nga unë “pensionistja”!

Një këshillë për Ermal Mamaqin nga unë

Nga Xheni Hatillari!

Kur Umberto Eco ndërroi jetë në 2016, unë kisha pak që lexoja veprën e tij. Rastësitë e mëdha, jo? Se fundja, unë jam ai brezi që u rritëm me faktin që leximi qe një gjë e mirë, që të hapë horizonte, biles çdo verë na jepnin lista të gjata romanesh në shkollë për t'i lexuar e ky mbeti zakon i përvitshëm edhe teksa u rrita. Pra, vlerat mësohen dhe ngelin me ty gjithë jetën. Që mos të humbas fillin siç bëjnë rëndom njerëz me influencë në vendin tonë, po i kthehem Eco-s (për të cilin bëra dhe një artikull asokohe plot pathos duke mos e ditur që sot do t'i rikthehesha me mërzi e dhimbje). Umberto Eco, citoj është shprehur kështu për dallaveraxhinjtë e rrjetit:

"Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve. Më përpara ata flisnin vetëm në bare pas një gote me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale me një fitues të çmimit Nobel. Është pushtim nga budallenjtë''.

Ai me siguri e dinte çfarë na priste, çfarë mynxyrash do dëgjonim sot nga palo artistë e "motivues". Në fakt, sot kur u zgjova nga postimet e miqve të mi online, po po u zgjova ore, m’u hapën sytë, mbeta e tmerruar nga një video e Ermal Mamaqit.

Një këshillë për Ermal Mamaqin nga unë

Le të kuptohemi, ky nuk është artikulli i zakonshëm antikomformist sapo dikush bën një deklaratë të fortë. Ermali e ka mirë që e nis bisedën me shifra papunësie dhe me analizën e tij (?) për ecurinë e ekonomisë botërorë se si gjithçka do të marrë trajtë tjetër. Edhe me qasjen alla Tony Robbins, pak arrogante por që duket si "e vërteta e hidhur" mirë e ka se është teknikë e provuar që funksionon në masa para tij.

Por Ermali diçka nuk e ka mirë: që nuk lexon më romane. E di këtë se ndryshe humori i tij do kish pasur zhvillim krijues dhe jo vetëm financiar në investimet për filmat e tij. Ermal dhe Ermalët e tjerë, lexoni çfarë t'iu dojë zemra por mos kufizoni dijen me etiketa "pensionistë" ose jo. Unë do doja të lexoja si një pensioniste çdo ditë të jetës sime: të lëvizja mes rreshtash me dijen e një jetë dhe të merrja nga to edhe më shumë. Në fakt do doja edhe njëherë të lexoja romane që të isha e aftë sot të lexoja Dostojevskin duke e kuptuar apo të kuptoja gjësend duke lexuar veprën e Shekspirit.

Ju lutem, për hatër të dijes, ka njohuri që Ermali e as unë s'ia jep dot njeriu, as nëpërmjet videove as nëpërmjet pseudo-motivimit. Sot ngrihuni nga divani siç thotë Ermali, por uluni në kolltuk për të shijuar një roman të mirë. E drejtë është, shumica s'kanë kohë dhe mesazhet e gatshme në libra motivues si Napoleon Hill ta japin kafshatë në gojë, por pa mendim kritik, miqtë e mi dhe Ermal, kujdes, kjo kafshatë do t'iu mbesë në fyt./Dritare.net