Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Katili edhe Rrezili

Katili edhe Rrezili

Nga Magdalena Ramohito

Këtë titull e kam huazuar nga poezia e Poetit Fatmir Muja, i cili është idhulli im.

Të gjithë analistët politik, me ndonjë përjashtim (sa shumë të tillë ka, ky vend kaq i vogël, me një popullsi kaq të vogël dhe me një polarizim kaq të madh ekonomik; që do të thotë se shumica e popullsisë as nuk arrin ti përtypë dot ato që dëgjon rreth politikës e mandej të jetë në gjendje të krijojë një bindje (personalisht nuk kam pasur kurrë ndonjë bindje politike në të dy sistemet ku kam jetuar).

Opinionet nga thashethemet në fakt i ndan vetëm një fill i hollë, prandaj këta të ashtuquajturit emisione politike ndiqen kryesisht nga turmat, të cilat nuk janë të afta të mendojnë vetë me mendjen e tyre dhe kështu, sipas paneleve të ndara në të ‘majtë’ e në ‘të djathtë’ ndjekësit krijojnë bindjen e tyre, por ata në fakt kanë krijuar bindjen shumë kohë më parë.

Në 1992 PPSH u nda në dy Parti të Mëdha PS dhe PD dhe disa parti të vogla satelite të këtyre dy të mëdhave, si edhe Organizata jo Qeveritare, Shoqata të të persekutuarve, Sindikata etj, të cilat në këtë çast nuk më vijnë ndërmend.

Në sytë e popullit shqiptar u zhvillua një “teatër profesionist” me ‘Protesta masive studentësh, “liri demokraci” dhe “e duam Shqipërinë si gjithë europa”, slogane këto paksa komike sepse ata dhjetoristët e 1992 edhe sot e gjithë ditën nuk e dinë mirëfilli se ç’është demokracia dhe liria.

Një pjesë e turmës thërrisnin “poshtë Diktatura”, ndërsa pjesa tjetër “poshtë burokratët”.

Në fakt ishte koha , kur vezët i blije i paisur me pashaportë, sapuni u bë me racion, buka kishte disa vite që blihej brenda lagjes (jashtë lagjes nuk kishe shance); pra uria ishte e tejskajshme dhe Shqipëria ishte ‘Fortesa’ e fundit e “komunizmit”.

Ishte shumë naive të besoje se Diktaturën po e rrëzonte rinia studentore, ndërsa është e vërtetë se ajo rrëzoi simbolet e komunizmit, madje shumë të ekzaltuara për këtë, ndërsa Ramiz Alia ato ishte i aftë të mund t’i largonte me anën e një dekreti...

Kasta mbështetëse e Diktaturës nuk kishte dalë akoma në skenë. Populli i njohu ata vetëm pasi Ramiz Alia i thirri në një takim i ashtuquajturi “Takim me Intelektualët”.

Ky akt më kujton ato që kam mësuar nga historia në shkollën e Sistemit Socialist.

Nga Shekulli i 8- të deri në Shekullin e 15- të, kur Monarku e ndjente se Monarkia ishte në kalbje e sipër therriste Kastën Mbështetëse të saj, e cila kishte gëzuar gjithë privilegjelet e mundshme që "ta përmbyste" atë.

Kështu kjo Kastë organizonte "Teatrin" duke vënë në lëvizje gjithë segmentet e strukturës së Monarkisë për t'i bërë thirrje popullit që të ngrihej në revoltë për "përmbysjen" e saj dhe kështu, pas këtij " revolucioni" lindte Aristokracia e Re dhe bashkë me të edhe shpresa e popullit se do të shpëtonte nga diktatura e shkuar....

Kemi mësuar në Filozofinë Marksiste-Leniniste se çdo revolucion ndodh në momentin, kur piqen kushtet; pra Monarkia, Perandoria, Diktatura nuk mund të rrëzohet dot me lëvizje studentore, kur ajo është ne kulmin e lulëzimit të saj, por kur ajo ka pësuar kalbjen në atë masë, saqë kërkon vetëm "një dorë" për t'a shtyrë atë.

Kështu, gjithkush është i aftë të mund të ndërtojë paralelizma me mendjen e tij...

Kështu pra në vitin 1992 lindi ‘Aristokracia e Re’, e cila u pagëzua si Demokraci.

Aristokracia e Re i ngjan një rrote të madhe, e cila gjatë rrotullimit të saj ( sepse ajo do fillojë të bëjë ndryshimin) mbledh rreth vetes edhe grimcën më të vogël që ka qenë pjese e superstrukturës se ish Diktaturës dhe gjatë kohës së nevojshme të rrotullimit ajo pjesë, e cila gjendet jashtë saj bën rezistencë gjithmonë, duke frymëzuar popullin derisa të futet ne sistem.

Më vonë portat u mbyllën.

Më vijnë ndërmend vitet kur u ktheva ne atdhe pas katër vitesh emigracion. Në atë kohë rrotullimi i rrotës, sapo kishte filluar dhe shihja nëpunës me copa të prera nga litari, me te cilin "kishin rrëzuar" bustin e ish Diktatorit nëpër sirtare. Ai copë litari ishte "garancia" për të mbajtur karrigen e punës.

Pas disa muajsh dolën edhe "Listat e Vdekjes", të përpiluara nga strukurat e ish Diktaturës, në të cilat gjendeshin emrat e "personave të rrezikshëm" kryesisht djemtë e ish Kastës Mbështetëse të saj tashmë të burgosur, ose të interrnuar dhe meqë jam këtu në këto lista ishte edhe emri i Bashkëshortit tim. Pra këta persona mbetën përgjithmonë armiq.

Portat u mbyllën!!!

Por u deshën edhe ca rrezila, thurësit e kurorave, të cilët sa herë iua vinin kurorën mbi kokë ‘aristokratëve’ tanë iua shponin kokën nga gjembat.

Kemi 32 vjet që i dëgjojmë aristokratët ‘e majtë’ dhe ata ‘të djathtë’ të akuzojnë njëri tjetrin si hajdutë edhe kriminelë, ndërsa turma e ndarë në dy pjesë ashtu siç u ndanë aristokratët e rinj në 1992 përplasen me njëra tjetrën, madje edhe brenda familjes, por ama ma do mendja, tashmë jo më për bindje...

Kriminelët e Diktaturës Komuniste nuk mund t’i realizonin dot krimet e tyre pa ndihmën e Kastës mbështetëse. Pra katili ndihmohet doemos nga rrezili, i cili më pas merr privilegjin.

Jemi në të njëjtën situatë sot. Të gjithë njerëzit e mbetur jashtë portës së Aristokracisë së Re i duan në burg katilët. Në fakt deri tani po shohim të thërriten në SPAK më së shumti rrezilët, ndërsa turma thërret: “ në burg katilët”.

Por Poeti Fatmir Muja në poezinë e tij “Katili edhe Rrezili” thekson se është rrezili ai, që i lyen fitilin me vajguri katilit; Pra kriminelët e vërtetë ( vjedhja e pasurisë Kombëtare dhe e Fondeve Publike është krim) nuk mund të bënin dot këtë vjedhje masive aproksimativisht 20 miliardë euro.

Pranadaj të gjithë rrezilët e 32 vjetëve pëfshi këtu edhe fëmijët e katilëve jashtë vendit, të cilët kujdesen për depozitat bankare të prindërve Katilë, janë fajtorët e vërtetë dhe ata kanë punuar me një armatë të madhe njerëzish, si p.sh ajo Shefja e kabinetit, të cilës ju gjenden paratë në tubin e sobës. Të gjithë rrezilët duhet të dënohen të parët, më pas le t’iu vijë rradha katilëve dhe duket se cikli i politikës 32 vjeçare, pas kësaj do të mbyllet dhe meraku im është ‘riciklimi’ i katilëve dhe rrezilëve (ajo që ndodhi në 1992)

Prandaj edhe analistët e politikës duhet të mbyllin ciklin e tyre, bashkë me mediat rrezile.

Uroj të fillojë një histori e re pa trashëgimtarë katilësh edhe rrezilësh.
Fëmijët tanë dhe pasardhësit e meritojnë një Shqipëri më të mirë./dritare.net