
Nga Ermal Peçi
Në diskutimet apo në zhvillimin e ngjarjeve politike do të mbahet mend për një kohë të gjatë fraza e famshme e Napoleon Bonapartit: "Më zgjoni kur të ketë trazira në Paris". Kjo ishte dhe fraza kuptimplotë që përçonte dhe jepte mesazhin e duhur te këshilltarët dhe njerëzit e besuar të tij. Po të kemi kryeqytetin në qetësi asgjë tjetër nuk na i trazon pushtetin. Pas datës 8 qershor e cila shënoi një nga protestat më të dhunshme ndaj një partie opozitare, Berisha u tërhoq nga pushtimi i godinës vetëm falë ndërhyrjes së policisë së shtetit duke mos ia arritur qëllimit për marrjen e PD-së. Qëllim të cilin nuk ka hequr dorë, duke nisur përsëri një cikël foltoresh nëpër rrethinat e Shqipërisë.
Foltorja numër 2 duket se qëllimin kryesor ka ndezjen e zjarrit në dhomat e akullta të demokratëve, të cilët janë të lodhur nga vitet e opozitës. Kërkon të ndezë ndjenjën e hakmarrjes tek njerëzit sepse e di shumë mirë që nga lashtësia natyra psikologjike e njeriut është e prirur që për dështimet e veta ta gjejë fajin tek tjetri e jo tek vetja. Kërkon që t’ju tregojë se fajtori kryesor për këtë gjendje është Lulzim Basha dhe jo Sali Berisha. I kërkon këta njerëz sepse i duhen për në Tiranë aty ku ka humbur mbështetjen e demokratëve të cilët e kuptojnë se Non Grata nuk është një bojë që fshihet kollaj por është një njollë që vështirë ta ketë hequr njeri. I duhen këta njerëz nga rrethinat sepse të ngarkuar emocionalisht, të dëshpëruar nga humbjet, të vrarë ekonomikisht, madje e të braktisur do i risjellë në Tiranë për një ripushtim të godinës së PD-së, e nga shkallët e asaj godine do të lajë duart si Ponc Pilati, si herën e parë kur fliste për paqe por "Dashi" shqyente godinën.
Doktori e di shumë mirë se për të bërë zhurmë këta njerëz nuk mund t’i gjejë në Tiranë por vetëm në rrethinat e saj. Tirana ndryshe nga qytetet e tjera dhe rrethinat është përfshirë si qytet në një proces kapitalizmi ku nuk zhvillon politikë elementare bazuar në emocione por çdo gjë bazohet ne logjikën racionale. Kryeqyteti është i vetmi qytet ku gjallëron jeta kulturore, sociale, ekonomike dhe politike e prandaj është kaq shumë i rëndësishëm. Për sa kohë ai nuk merr dot Tiranën ai e ka të humbur luftën për marrjen e PD-së sepse rregulli kryesor i kapitalizmit është kurrë mos investo në njerëz të cilët ju ka mbaruar rrugëtimi i tyre politikë./dritare.net

















