
Nga Xheni Hatillari
Kur erdha të jetoja në Tiranë, kthehesha pas pune në shtëpi me çelësat mes gishtave, se asokohe mendoja që nëse dikush do më sulmonte, mund të mbrohesha kësisoj. Isha vetëm 18 vjeç. Akoma më e vogël, kur isha 15 vjeçe dhe ndonjë qenie pa formë nga ata që pështyjnë rrugëve, hidhte ndonjë fjalë, neveritesha aq shumë sa doja t'i kthehesha dhe ta godisja. Më thonin: "Shsht! Ça të ngeli po t'u kthye dhe të të shajë?" Kur u rrita, këta shtazë nisën të merrnin formën e njerëzve me të cilët më përplaste shkolla, legjendave që X pedagog i kërkoi favore X studenteje.
Jeta u tregua më e mirë me mua, përballë askush s'më kërkoi të më prekte, por a thua është kaq bujare me vajzat që rriten në periferi? Në familje ku të flasësh për seksualitetin është turp? Ku ende mund të të shantazhojë një qenie pa formë e fytyrë si Abazi?
Kapa veten një ditë duke ecur me kokën poshtë duke evituar shikime burrash që, ndoshta veshja ime komplet e mbuluar, mund t'i ndillte ndonjë epsh. Edhe në supermarket përpiqem të evitoj kontaktin me shitësit nëse janë burra. Sepse s'dua të largohem duke u ndjerë e ndotur nga shikimet e ndokujt. Këta mund të jenë kudo.
Ca muaj më parë u trondita kur në Sarandë diskutimi ishte, a e kishte përdhunuar vetëm një plak vajzën e mitur apo dhe i ati. Si u kthyem në të tillë?
Në monstra, që kronikat e lajmeve na janë kthyer në çeplendisje pasditesh dhe të qetë vazhdojmë të përtypim turpin tonë? A jemi fajtorë? Po, të gjithë!
Nga politika që misionet i ka personale, tek media që vret për së gjalli viktimat, tek shoqëria civile që mjafton të ketë fonde pa komunitetin e prek vetëm për foto!
Mua më vjen turp që mbase kam takuar një vajzë të dhunuar dhe s'kam arritur të shquaj frikën nga gogoli në sytë e saj. Më vjen turp që në një vend ku jetoj, abuzuesi mund të ripërsërisë krimet ndaj të miturve dhe sërish të dënohet 4 vjet. Mua më vjen turp nga vetja që e di forcën time, ama, nëse dikush më sheh ngultazi, ul sytë e turpëruar.
Gogoli poshtë shtratit kur ishim fëmijë tani fle me ne. Ka fytyrën e pafytyrë të Abazit, të mësuesit të muzikës, të babait pa testikuj që provoi burrërinë më të bijën, fytyrën e amorfëve të trotuarëve apo punëdhënësve të jargavitur.
Gogoli, kalamaja!/dritare.net

















