
Rudina Xhunga: Shembja dhe protesta për Teatrin Kombëtar, janë aktet e para të fushatës elektorale!

Rudina Xhunga
Gazetarja Rudina Xhunga në një lidhje live për rubrikën ''Opinion'' thotë se rrëzimi i Teatrit dhe protestat te Teatri janë akt politik pasi partitë kanë filluar fushatën. Xhunga thotë se opozitës nuk i intereson të rrëzohet Rama me protesta pasi do krijonte precedent që mund t'i përsëritej asaj në pushtet, ndërkohë që shton se opozita i bashkohet protestës sepse ka për qëllim pushtetin.
“Është legjitime të kërkosh rrëzimin e pushtetit dhe ardhjen tënde në pushtet. Por nuk duhet të kesh frikë ta deklarosh. Opozita nuk është atje të dëgjojë zëra por t’i drejtojë zërat kundër Ramës. Sa do ia dale është pune tjetër”- shprehet Xhunga.
Më tej gazetarja u shpreh se është pro çdo proteste artistësh, qoftë edhe sikur ata të dalin aty vetëm për institucionin ku punojnë.
“Kam dalë dhe unë kam protestuar për televizionin ku punoja për gazetën ku punoja. E di, mbase kur ke një kauzë dhe je me pak njerëz përreth të duket se dështove dhe i bashkohesh pa kushte atyre që të premtojnë numra. Po aty nis dështimi yt, kur mendon për numrin, jo për kauzën. Kur thua, dreqi ta marrë, vetëm ky të ikë. Ai mund të ikë, po ti nuk fiton gjë se pas tij vjen një si ai. Ndaj ndryshim sjellin vetëm protestat që kanë kauza dhe behën me besim e këmbëngulje. Protestat politike sjellin rritje pazari mes palesh. As përmbysje nuk sjellin. Besoni vërtet qe opozita do ta rrezojë Ramën me protesta? As i shkon ndërmend të lërë precedentin pas. Tani Teatri u prish. Nuk është më. Kur vdes një njeri apo godinë ti nuk flet dot keq për të, vetëm mire. Por nuk mund të shfrytëzojmë vdekjen për të vrarë të tjerë. Nuk jemi në ‘98. Koha e arkivoleve në Bulevard është larg. Nëse vijojmë të shahemi e rrihemi, do mbetemi tek gërmadhat, në të cilat u kthye Teatri me vendim shumice. Unë nuk jam me shumicat asnjëherë, unë zgjedh të jem me më të dobëtin. Sepse kur je gazetare mbron më të dobëtin. Tani kush është më i dobëti, artistët apo Teatri.
Ky është një debat që nuk ndihmon më. Godina është shembur. Tani ka një premtim për një Teatër të ri. Ndërkohë ka një premtim tjetër nga opozita që do ketë një teatër siç ishte, pra të dyja premtojnë Teatër të Ri. Rama-Veliaj nxorën projektin, Basha-Kryemadhi me siguri e kanë një plan. Tani njerëzit nuk po rrihen për projekte, po rrihen për emocione. Tani ka emocione, se ka njerëz që kanë luajtur në atë Teatër. Po ka filluar një akt pas shembjes që nuk është emocional, është politik. Rama ka nisur rrugën drejt një mandati të tretë. Por dhe një akt i opozitës për të çelur fushatën dhe fituar pushtetin. Palët janë përballë. Secili tani mund të vendosë me kë është.
Por meqë zgjedhjet janë larg, mirë do qe që gjithë këtë energji ta kishim kthyer në mundësi për zhvillim turizmi , bujqësi, prodhimi shqiptar, se ato na mbajnë. Ata janë motori ynë ekonomik që në situata të tilla stepet dhe ne e dimë që kur paratë mungojnë, nisin përplasjet.
Po artistët?
I besoj njerëzve që qajnë e protestojnë për punën e vet, për kujtimet që kanë një vizion tjetër për të ardhmen dhe nuk janë me shumicën, shumë e thjeshtë dreqi e mori, nuk janë. Unë jam dhe mbështes artistët por s'mund të afrohem në këto protesta pasi të rreh polici apo dhe protestuesi. Por do shkoj në çdo proteste kur vajza e djem të rinj dinë çfarë duan dhe dinë ta kërkojnë pa turp e drojë, se janë pak. Do bëhen shumë, vetëm pis të mos bëhen!/dritare.net

















