Rudina Xhunga: Për kovidin, duhet thënë; Kujdes po, turp jo! Tregojeni kur e merrni!
Rudina Xhunga
Gazetarja, Rudina Xhunga e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 foli për turizmin në Vlorë, rrezikun nga Covid-19 tani me çeljen e shkollave dhe dha një mesazh për të gjithë në këtë situatë pandemie.
Gazetarja: Si ishte kjo verë kovidi
Rudina Xhunga: Duhet ta pranoj se pavarësisht kovidit vera ime ka qenë pafundësisht e gjatë dhe shumë e bukur. Kam përshtypjen se jo vetëm e imja. Unë e kam kaluar në Vlorë shumicën e kohës dhe një pjesë të emisioneve e kam xhiruar fshatrave të Vlorës, deri sa erdhi një moment sa thashë: “Mjaft tani, se s’ka më kuptim të reklamoj kaq shumë Vlorën!” Edhe pse e bëj jo se është qyteti im, por sepse ka qenë zemra e turizmit këtë vit. Unë erdha sot dhe Vlora është pot akoma. Thjesht të bësh një xhiro nga deti, apo të shohësh nga Orikumi në Plazhin e Vjetër. Vlora është ende plotë. Shiko dhe pyet në resortet më luksozë të Vlorës sesi është. Kjo është një gjë shumë e çuditshme. Durrësi pati tërmetin që e goditi. Ishte më i godituri sivjet dhe unë uroj që Durrësi ta kalojë dhe ta marrë sërish pozicionin që kishte vitin e shkuar, sepse ai është qyteti të huajve. Por këtë vit Vlora ia mori Sarandës dhe Durrësit. Shifra nuk do të ketë, sepse ka kur ka të huaj. Dhe shifra ka kur ka formalitet. Ne duhet ta pranojmë se ka ende informalitet. Në Vlorë sidomos, por bizneset e turizmit vetëm ankohen. Ke dëgjuar ndonjë të thotë: “Isha mirë këtë vit!” S’do ta dëgjoni. Por nuk kam parë që në Vlorë njerëzit pushuan gjatë dhe uroj që të vazhdojë në shtator, tetor.
Gazetarja: Kjo sepse nuk kishin mundësi tjetër, sepse vetëm në Shqipëri mund të pushonin?
Rudina Xhunga: Po shyqyr që zbuluam Shqipërinë. Kjo është gjë e mirë. Sepse jam e sigurt se njerëzit që kanë shumë para e që i shpenzojnë në Turqi, Greqi apo kudo jashtë këtë vit e patën të pamundur dhe nuk besoj se mallkuan kovidin se nuk vajtën dot jashtë. Sepse gjetën në Shqipëri oaze të Greqisë, të Turqisë, të vendeve të tjera dhe panë gjëra që unë i kam parë me kohë. Unë nuk habitem më, vetëm gëzohem tani. Por ka shumë njerëz që janë habitur me Shqipërinë këtë verë. E kanë zbuluar dhe kjo i ka bërë mirë edhe nevojës për të njohur vendin tënd, por edhe për të bërë ca plane. Sepse kur ti e njeh ndoshta bën ca plane biznesi më vonë.
Unë kam qenë vetëm në jug, në veri nuk kam qenë këtë verë. Veriun e kam eksploruar dhe promovuar nga të parat. Tani jam në fazën që unë besoj se veriu e ka kaluar fazën e promovimit. Nuk ka më nevojë për t’u promovuar. Veriu ia doli përpara jugut të ketë rrugët. Kjo për shkak edhe të politikës në Shqipëri që zhvilloi dhe bëri në fillim rrugët në veri. Mirë bëri sepse veriu kishte nevojë, ishte më i varfër. Pyeta një herë një lezhjan: “Po si ka mundësi ju lezhjanët jeni mjeshtrat e kulinarisë?” Më tha: “Epo Vlora kishte skafet, por ne ç’të bënim? Shpikëm një gjë. Zbuluam kuzhinën.”
E kishte më të vështirë veriu dhe tani Lezha ka yjet e kulinarisë shqiptare. Thethi është një prej vendeve më të bukura. Nuk ka vend si Thethi. Valbona tani është masive, tani u përket të gjithëve, Lëpusha gjithashtu. Nuk kanë nevojë për promovim sepse janë plot, janë të bukura, janë gati. Për shembull Vlora ka qenë një nga qytetet që ka pasur nevojë për promovim sepse ka qenë gjithmonë ajo ideja: “Ore në Vlorë nuk dinë të të presin!” Tani njerëzit erdhën në Vlorë dhe mësuan pak a shumë. Paraja të mësuaka. Dhe rruga të mëson gjithashtu. Njëra prej arsyeve pse Vlora pati këtë superzhvillim këtë vit është për shkak të Lungomares. Zhvilloi qytetin, tani njerëzit shëtisin. Nga ana tjetër kanë bërë kafet. Shumë biznesmenë nga Tirana kanë bërë kafe dhe restorante në Vlorë dhe kanë sjellë një tjetër kulturë kulinarie.
Gazetarja: A patë ju që të respektoheshin masat?
Rudina Xhunga: Jo nuk e pashë. Unë vetë nuk kam qenë në asnjë restorant, duhet ta pranoj. Kam ngrënë në shtëpi, jam druajtur. Kam shkuar për të ngrënë vetëm në fshatra. Por shikoja që restorantet ishin plotë. Edhe mendoja si nuk kishin frikë ata njerëz. Nga njëra anë më dukej edhe e çuditshme. Në restorante nuk ishte asnjeri me maskë. Në plazhe e mirëkuptoj, por në restorante nuk shikoja maska. Shikoja vetëm kamerierët. Kishte kujdes te personeli që shërbente, por njerëzit jo. E di çfarë ndodh? Njerëzit venë pushojnë dhe kovidin e marrin me vete, e sjellin në Tiranë. Vlora ka një gjë të mirë, është e gjerë, e madhe ka vend për të gjithë, përpos që ke Karaburunin, Sazanin dhe ke ku shkon. Ata që u dyndën në Ksamil apo në plazhin e vogël të Drimadhes, e sollën të gjithë kovidin në Tiranë. Rastet e gushtit nuk kanë qenë thjesht Tirana, por edhe nga plazhi. Tani do të kemi raste nga shkolla, d.m.th jemi rast pas rasti.
Tani vajza kthehet në shkollë dhe duhet t’i dedikohemi mësimit. Përveç se të mësoje, duhet t’i mësojmë edhe si të ruhet nga kovidi. Është frika që fëmijët nuk dinë ta mbajnë maskën. Fëmijët nuk dinë të mbrohen nga kovidi. Nuk dinë të mbajnë distancën. Për fat shumica prej tyre e kalojnë lehtë, por jo të gjithë. Më pëlqeu një mjeke pediatre që thoshte: “Çdo mëngjes, edhe nëse nuk e ke bërë deri tani, mati temperaturën fëmijës tënd.” Tani kemi më shumë nevojë nga mjekët që të na mësojë sesi të sillemi me fëmijët në kohë kovidi, ndërsa i kemi në shkollë. Sepse në mars i kishim brenda. Ishte një vuajtje për ta, ishin jashtë lojërave, por të paktën ishin brenda. Ndërsa tani që janë jashtë dhe janë burime të mundshme të transmetimit të koronës në shtëpi te ne vetë, te prindërit e më tej.
Ideja është se shkollat nuk do të mbyllen, kjo është qartësuar në të gjithë botën. Këtu ndodh ajo që ndodh dhe në botë, nuk bëhet asgjë me kokë të vet. Në të gjithë botën është menduar që fëmijëve u bën më shumë dëm që të rrinë në shtëpi dhe të paprekur nga kovidi sesa të shkojnë në shkollë. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, është një risk që duhet marrë. Në pritje të vaksinës kjo do të ndodhë. Thjesht na duhen më shumë këshilla.
Nuk kemi pse të dëgjojmë ministren Shahini se çfarë duhet të bëjnë fëmijët tanë, por mjekët. Unë vetë dëgjoj mjekët, jo ministrat. Nuk më japin ata siguri, por mjekët. Më japin siguri pediatrët e mirë të këtij vendi dhe ka plot. Atë që e thotë ministri, e thonë ekspertët. Ministri thjesht i jep siguri zërit të ekspertëve. Unë dëgjoj mjekët që çfarë të bëj dhe çfarë të mos bëj, si të ruhem. Deri në momentin që e merr koviddin. Në atë moment ti do të dëgjosh sërish mjekët, do të jesh në kontakt me ta. Po ndodh shpesh që njerëzit nuk tregojnë, kanë frikë. Këtë “Kujdes po, frikë jo!” duhet ta ndryshojmë e ta bëjmë: “Kujdes po, turp jo!” Nuk ka më turp, tregoje që e ke, mbro njerëzit e tjerë që mos të të afrohen, kurohu! Mos ki turp nga kovidi./dritare.net