E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, gazetarja e njohur Rudina Xhunga, foli në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë. Gazetarja tha se Albin Kurti e la Kosovën në dore të Thaçit dhe Musafës me sjelljen e tij politike, që nëse shndërrohet në kokëfortësi për të mbajtur pushtetin, mund të shkoje më keq e t’ia lërë dhe Vuçiçit.
“Më vjen keq për këtë që po ndodh në Kosovë. Unë hyj te njerëzit që u entuziazmova kur fitoi Albin Kurti. Jo vetëm sepse e kam promovuar në të gjithë emisionet që kam drejtuar, Albin Kurtin, si një personazh të ri të politikës së re, si një djalë i ri, idealist dhe i majtë, por edhe sepse kam besuar gjithmonë që vjen një moment, që një klasë politike largohet dhe pastaj një brez i ri e fillon nga e para. Por mesa duket asnjë nuk largohet, asgjë nuk zhduket, vetëm transformohet. Kjo ndodhi edhe në Kosovë.
Kjo ndodhi edhe për shkak të sjelljes së Albin Kurtit. Nuk e vë në dyshim që është një djalë i zgjuar, por kjo nuk mjafton në politikë. Më shume se i zgjuar duhet të jesh i ekuilibruar. Nuk e vë në dyshim aspak që ai e do Kosovën, por as kjo nuk mjafton në politikë. Duhet edhe të dish te duash. Albini nuk mundi. I bëri të gjithë armiq njëkohësisht. Ngriti zërin duke drejtuar gishtin ndaj një ambasadori, që nuk ka asgjë personale me Thaçin e Kurtin. Ai është një përfaqësues i presidentit Trump, një përfaqësues i SHBA-ve.
Shumë prej gjërave që Albini bëri në nxitim e sipër, ndihmuan që t’i japë dorën rikthimit të klasës së vjetër politikë, që është një lajm i keq për Kosovën dhe Shqipërinë. Por një lajm edhe më i keq do të jetë, nëse Albin Kurti do ta vijojë këtë që është duke bërë, duke i dhënë dorë Vuçiçit, apo forcave të cilat besojnë se Kosova, nuk ia doli dot të bëhet shtet. Unë jam pro ardhjes së njerëzve të rinj, por njerëzit e rinj duhet të drejtojnë kur janë gati. Mesa duket Albin Kurti nuk ishte ende gati.
E mira është që ky moment, të kalojë me kujdes, pa dhunë. Pastaj historia ndryshon shpejt. Shumë shpejt mund të ketë përsëri zgjedhje dhe Albini mund të fitojë. Deri atëherë ai do t’i ketë dhënë vetes kohë, për të kuptuar që politika nuk është vetëm çfarë ti do, por edhe çfarë ti duhet, jo vetëm çfarë ti di, por edhe çfarë mëson. Uroj vërtet që Kosova të gjejë qetësinë.
Ne në Shqipëri, jemi në këto kushte të luftës me koronavirus, por klasa politike po tregon një përgjegjshmëri te pazakonte. Dhe sërish jemi të pasigurtë. Po në Kosovë si ia bëjnë? Që përpos pandemisë, frikës dhe pasigurisë të kesh dhe një klasë politike e cila po shqyhet e nuk po di ku do të shkojë e jo më të drejtojë të tjerë. Mesa duket duhet t’u tregojmë atë legjendën e nënës. Dy gra ziheshin për një fëmijë dhe në fund i thanë priteni këtë fëmijë në mes dhe le ta marri kush është nëna. Nëna e vërtetë tha jo, le ta marre ajo, edhe pse nëna e vërtetë jam unë. Kush e do më shumë Kosovën tani, duhet të tërhiqet.
Si e sheh fatin politik të Albin Kurtit?
Rudina Xhunga: Po ç’rëndësi ka fati i Albin Kurtit. Rëndësi ka fati i Kosovës. Albin Kurti me mënyrën si u soll, solli përsëri Thaçin. Unë nuk kam asnjë simpati për të, por ai di të sillet politikisht. Ka ditur të krijojë aleancat e duhura që e mbajnë në atë post. Risolli Isa Mustafën. Risolli Haradinaj. Mbase në të gjitha mënyrat, Albini duhet të kuptojë ku gaboi dhe jo ta mbajë me forcë. Sepse kjo është e pamundur./dritare.net