Na ndiqni edhe në

Editorial

Dashuri, faleminderit nga zemra!

Dashuri, faleminderit nga zemra!

Nga Rudina Xhunga

Nuk doja të kishte lajm në faqe për ikjen e Kozetës, ngaqë refuzoj ta pranoj.

Ca njerëz si Kozeta Noti vijnë një herë në jetën tënde dhe nuk ikin më. Pastaj i sheh apo jo, i takon apo jo, nuk ka rëndësi. Ata janë përgjithmonë. Kështu që dhe unë refuzoj ta pranoj që Kozeta nuk është më.

Mësuesja ime e italishtes, me atë buzëqeshje të madhe sa zemrën. Kur më thonë tani që ishte e shëndoshë, më vjen plasja. Po normal, ajo zemër e madhe ku do të rrinte në një trup të dobët!

Kozeta Noti ishte shpirti më i bukur i Tiranës. I Tiranës së shkollës sime të mesme kur e njoha dhe gjithë jetës sime.

Të hënën natën vonë i shkrova që nuk po më zinte gjumi.

-“O zemra ime! Ty nuk të zë gjumi se prape nuk po mbushem dot unë me frymë.”- ma ktheu ajo.

Dashuri, faleminderit nga zemra!

Pastaj të nesërmen më erdhi një mesazh. Kozeta kishte krijuar grupin “Dashuri, faleminderit nga zemra”. Më kishte futur në atë grup mua dhe 30 të tjerë, se aq mundej, po të kishte dhe pak me shume frymë ajo do t’i bënte 300000 në atë grup që e krijoi para se të ikte.

Se Kozeta këtë bënte, krijonte grupe dhe u jepte jetën.

Kozeta nuk ikte dot pa e thënë një fjalë të mirë. Pa thënë dashuri, pa thënë zemër, pa thënë: “Faleminderit për çdo gjë po bëni për mua! Paça mundësinë t'jua shpërblej!”

E bëri këtë grup ku ishte vetë admin dhe tani qe iku, askush nuk ikën nga grupi.

Rrimë aty të ngrirë. Me peng. Mos nuk bëmë dot gjë për të, kur ajo nuk mbushej dot me frymë?

Mjekja e saj më siguron që Kozeta erdhi në kohë, që gjërat u përkeqësuan shpejt, që sëmundja ishte agresive, qe iu bene te gjitha, por nuk mund të shpëtonte.

Do të shpëtonte vetëm të mos e kishte marrë.

Ky është Covid-19 dhe po na merr kujt zemrën, kujt mendjen e kujt trupin.

Kozeta shpirt i bukur, që nuk ike pa e thënë një fjalë të mirë në fund, para se të të intubonin. Dashuri faleminderit nga zemra❤️/dritare.net

Dashuri, faleminderit nga zemra!