Nga Dritan Hila
Gagu i fundit ku Lulzim Basha ngatërronte zbritjen, në fakt është një fiction. Por që gjithsesi mori përhapje në rrjet. Do të duhet kohë të zhbëhet. Dhe ngjan se po i shijon jo vetëm socialistëve, por edhe aleancës opozitare.
Së fundmi Bashën nuk ka interes ta zhvlerësoje vetëm Rama.
I interesuari i parë është Berisha, i cili do ta mbajë gjithë kohën nën presionin e përkohshmërisë dhe pafuqisë së tij në krye të PD-së. Dhe kjo është një barrë e madhe për Bashën i cili nuk ngjan natyrë e dorës të fortë që tremb shqiptarët.
I dyti është Ilir Meta. Ky ka hall më të madh se Berisha. Ai e di që bërthama e tij e qëndrueshme është diku te 60-80 mijë votues. Vitet kanë treguar se nuk ka për t’u bërë ndonjëherë parti e dytë. E vetmja shpresë është që të ketë një fuzion me PD-në. Është një skemë që i pëlqen edhe Berishës, i cili e do politikën përça dhe sundo, e për më tepër politikanë makiavelistë si Meta që ngjan se është biri real shpirtëror i tij.
Të dy këta janë të interesuar në mbajtjen e një Bashe të dobët edhe në publik.
Pas daljes nga Kuvendi dhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, Bashës i duhet shumë punë të riparojë imazhin e tij te ndërkombëtarët, megjithëse ideatorët dhe organizatorët e akteve ishin tandemi Berisha-Meta.
Në këto kushte, kur sabotohet nga jashtë dhe brenda, ardhja e Bashës në pushtet ka pak gjasa, të paktën për mandatin që vjen. Askujt nuk i intereson a bëhet apo jo ai kryeministër. Berisha është rehat, Meta në Presidencë dhe aradhja e tij laramane pret edhe një mandat në opozitë. Madje aq më mirë për të. Nëse PD-ja e masakron Bashën pas humbjes, dhe duke qenë se përgatitja e një lideri të ri kërkon minimalisht tetë vjet, Meta shpreson të shikohet si ofertë e gatshme nga demokratët.
Por shqiptarëve normalë u intereson minimalisht një opozitë e fortë që të paktën të frenojë këtë superxhiro të Ramës. Dhe e vetmja shpresë është që Lulzim Basha të vrasë politikisht Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Kjo do të bëjë që anëtarësia e PD-së ta shikojë si e vetmja alternativë dhe ta ndajë mendjen që LSI-ja do të jetë rimorkjo e PD-së; që shqiptarët të dinë kë do të votojnë dhe kush do ta marrë pushtetin, pasi rikthimi i dyshes Berisha-Meta do të ishte më katastrofik; dhe perëndimorët të kenë një përgjigje se kush e bëri gjullurdinë vjet, nuk do të ketë takat ta bëjë rishtas.
Por mbi të gjitha shqiptarët duan të dinë kush do të qeverisë me rënien e socialistëve; do të kemi një qeveri të Bashës apo të shoqëruar edhe me qeveritë hije të Berishës dhe Metës? Që mos nisen të votojnë Vjosa Osmanin dhe t’u dalë Isa Mustafa.
Përndryshe, nëse Basha nuk vret Berishën dhe Metën, ai nuk do të jetë veçse një faturino që ka interes të mbledhë lekët e biletave të autobusit dhe jo se ku shkon ai./dritare.net