Na ndiqni edhe në

Shkrimet e Dritanit

Një ditë luanësh në Vlorë!

Një ditë luanësh në Vlorë!

Nga Dritan Hila

Mëngjesi në Vlorë në këto ditë karantine është diçka më i lehtë se ai i Tiranës. Mbase popullsia më e rrallë për shkak të migracionit ose ndërgjegjësimi i vlonjatëve (!) bën që qyteti mos këtë grumbullimet e tensionuara të Tiranës ku të rinjtë mblidhen në hyrje pallatesh ndërsa familjarët në markete.

Postblloqet e armatosura janë në tri pikat e hyrje-daljeve të qytetit, por nuk duket se kanë shumë punë e aq më pak sherre.

Në hyrje të supermarketeve janë ushtarë të marinës që me uniformat e tyre bezhë janë më relaksues për syrin.

Lungomarja është e boshatisur, ndërsa tek-tuk brenda lokaleve mund të shikosh pronarët që bëjnë ndonjë punë sa për t’u gjendur në punë apo thjesht rrinë si për mos lënë pa frymë njeriu hapësirat. Se muret fryma e njeriut i mban gjallë, thonë nga këto anë. Pa frymën e njeriut edhe kalatë shemben. Kjo deri në Orikum.

Vlora ngjan e ndërgjegjësuar për situatën. Budallai nuk trembet, më tha një mik, e të vdesësh nga një virus, nuk ta merr njëri as për trimëri.

Shqetësimi i të gjithëve është turizmi, nga më i thjeshti deri te biznesmeni. Kanë frikë nëse do të vijnë të huajt. Sezoni i vjetshëm ishte një premtim i mirë për Vlorën e mbushur me italianë dhe polakë. Biznesmenë kishin filluar dhe merrnin dyqane me qira në qytetin e vjetër të saporikonstruktuar. Por korona ka frenuar gjithçka. Nuk bëhet më fjalë për ndërtim porti jahtesh. Tashmë vlonjatët i kanë hesapet me virusin.

“Na e prunë këta që erdhën nga Itali, se të ishte për ne, edhe ata katër që zuri i paketuam dhe nisëm në Tiranë. Nuk ka shaka me këtë vrromë”, thonë. Sharje që krijon asocim me koronën.

Pastaj biseda kalon në situata hiperbolike: “Fieri bën mirë të ketë kujdes dhe të zbatojë karantinën, përndryshe po vazhdoi me kaq të infektuar sa tani, të kthejë gomat tek ura e Mifolit.”, vazhdon batuta.

Deti ta ul stresin e izolimit edhe kur e shikon nga larg. Ndërsa tek klubet e bregut që i kanë karriget dhe stolat e fiksuara në tokë ose të grumbulluara, ulen njerëz dhe të panjohurit ndërrojnë bisedë.

Derisa vjen policia. Nga larg ajo lëshon sinjale të shkurtra të sirenës për të treguar që nuk do sherr, por edhe se nuk e ka frikë belanë

“Hë ore, edhe në Tiranë kështu është?”, më pyet njëri, që pret t’i qaj hallin dhe jap sebep të shajë gjithë superstrukturën e shtetit shqiptar. “Në Tiranë është më ibret”, i them, “se tani do të ishe duke vrapuar t’i ikje policit, ndaj mos u anko!”

Të gjithë çohemi për t’u shpërndarë. Vetëm ai që kërkonte sherr vazhdoi të qëndronte në karrige. Nga dyshja e makinës me një polic dhe police, burri del nga makina dhe i afrohet qendrestarit.

“Po ti ore burrë më i mirë je që nuk lëviz?”, i drejtohet bluja.

“Po ti ça kë, të kam zënë rrugën?”

“Orë do të çohesh me të mirë a si e ke hallin. Çfarë bën këtu?”

“Punoj këtu mbrapa dhe kam ardhur të çlodhëm.”

“E mirë u çlodhe, hidhu tani, hopa.”

“Avash ore më atë të folur se nuk jam rrëbythje unë!”

“Tundu or të them që mos ta kthej ndryshe.”

“E or avash se nuk tremb njëri.”

“Mirë o mirë, po lëvizë bythën. “

“Jemi në Vlorë.”/dritare.net