Na ndiqni edhe në

Shkrimet e Dritanit

Miqtë që i duhen Ramës!

Miqtë që i duhen Ramës!

Ka një njoftim të kryeministrit se nga e hëna, do të zgjatet koha e liridaljes, si shenjë e uljes së presionit.

Është një hap që zbut presionin psikologjik, nëse vërtet masat e tjera shtrënguese do të mbeten të pandryshuara. Shpresojmë të ulë edhe fluksin në pikat e tregtimit; gjithashtu të ndihmojë bizneset që ndiheshin të shtrënguara në fashën orare të derisotme.

Ndërkohë kundërshtarë nga shoqëria civile apo mitomanë që kohët e krizave i prodhojnë me bollëk, kanë marrë përsipër të bëjnë të fortin e lagjes, duke deklaruar se nuk do të zbatojnë rregullat e vendosura. Ndoshta shpresojnë të tërheqin pas vetes edhe opozitën apo të fitojnë protagonizëm në një situatë kur ata që mund të shprehen janë mjekët dhe ekonomistët.

E mira do të ishte ta linin këtë punë që nuk e kanë zanat, pasi do të marrin në qafë ndonjë si ai derdimeni në Fier që i ekzaltuar që po e xhironin thoshte se nuk pyeste për Edi Ramën.

Ndërkohë Rama do të duhej mos ta lëshonin nervat dhe mos t’i nënshtrohet presionit virtual, pasi një zgjerim i kontaminimit duke ulur masat shtrënguese, do të zhvlerësonte sakrificën e deritanishme dhe do të na zhyste në krizë të thellë ekonomike dhe sociale. Nëse ka një numër të pranueshëm humbje jete, kjo vjen për shkak se shumica besoi në masat e tij që ishin më drastike se ato italiane. Këshilla nga profesionistë të mjekësisë duhet të vazhdojë të jetë prioritare. Tani i mbetet të marrë këshilla edhe nga ekonomistë në mënyrë që mos të vdesë biznesi i vogël dhe i mesëm. Turizmi është një sektor që punëson rreth 100 mijë persona dhe jep 1.5 miliardë € të ardhura. Po ashtu sektorë si riparim e shërbime nuk duhen asfiksuar. Duhet menduar si të mbështeten bizneset që kanë lidhje me ristoracionin. Një pjesë e mirë e tyre janë të zhytur në kredi.

Më shumë sesa urdhri që punëdhënësit e këtij sektori të paguajnë punëtorët për periudhën e papunësisë, kryeministrit i duhet të arrijë marrëveshje me bankat e nivelit të dytë që për kredi të dhëna në këta sektorë, të ngrijnë interesat dhe shtyjnë pagesën e kësteve ndoshta për një periudhë edhe një vjeçare. E kanë bërë në botë në raste krizash dhe fondi sovran për këtë duhet të shërbejë. Pa për të paguar punëtorët, e kanë vetë merak ata që i kanë trajnuar e mbajnë në punë.

Këto janë prioritare dhe Ramës i duhet miqësia me këtë shumicë.

Ndërkohë Italia do ta shtyjë karantinimin deri në 3 maj. Dhe me siguri nuk është përfundimtare. Kjo do të thotë se edhe ne duhet të përgatitemi për një udhëtim të gjatë, pasi nëse nuk i mbyll hesapet me virusin fqinji ynë, as ne nuk kemi gjë në vijë. Natyrisht do të shtohen edhe ata që për shkak të ezaurimeve psikike apo haluçinacioneve, do të trimërohen para webkameras dhe premtojnë mosbindjen. Por ata nuk prishin punë. Kanë filluar na zbavisin./dritare.net