Na ndiqni edhe në

Editorial

Kodi dhe revolucionet në gotë të Bashës dhe Metës!

Kodi dhe revolucionet në gotë të Bashës dhe Metës!

Nga Dritan Hila

Me miratimin e Kodit Zgjedhor, u mbyll edhe kalvari 18-mujor i luftës politike dhe hapet një i ri.
E humbur doli opozita parlamentare. Pa identitet dhe me një përbërje që duhet të turpëronte Lulzim Bashën dhe Ilir Metën, ajo nuk ia doli të imponohej. Përjashto Murrizin dhe dy-tre individë, të tjerët ishin pa një ide politike. Kështu vazhduan deri në fund. Nuk arritën të kishin të paktën një platformë të tyre. Shumë shpejt do të harrohen.


Partia Demokratike dhe LSI-ja morën atë që u duhej me marrëveshjen e 5 qershorit. I ka gënjyer mendja se Rama do t’u linte fitoren në tavolinë. Rama eshtë strategjisti më i mirë që ka kupola politike e Tiranës dhe ketë e vërtetoi edhe sot.


Partia Socialiste ndërkohë ka filluar fushatën. Drejtuesit e saj janë në terren, pa përjashtuar këtu kryetarët e bashkive, ku përjashto ndonjë individ, të tjerët janë në kapacitet të plotë motorik.


Ndërkohë opozita duhet të fillojë të punojë në terren. Edi Rama nuk do t’u falë as milimetrin e vijës së frontit. T’i lërë budallallëqet me diversion të tipit Rilindje dhe socialistë pasi tashmë ajo parti është e Ramës. Pas tij, kismet.


Opozita nuk mund t’ia dalë të krijojë frymë me figura të stërkonsumuara. Deklaratat e sotme të tipit “Populli të çohet në revolucion!”, “Të mbrojë votat dhe kutitë e votimit!”, “Të zhdukim këtë bandë hajdutësh!”, aq me tepër të hedhura nga hajdutë me nam të 2005-2013-ës, nuk gudulisin askënd. Në votime do të dalin ata që kanë dalë gjithmonë. T’i lënë spotet me Bashën që vjen vërdallë si kryeministër i ri se kjo nuk është të krijosh frymë, por t’ia bësh vetes me sy. Se ëndrrat të bëjnë të jetosh më mirëc ama ëndrra janë.


Nëse mendojnë të fillojnë ndonjë revolucion, siç premton Meta, e ka të kotë. Eksperienca e tregoi se Rama është një mur prej gome. As ia kërcet për molotovët e Bashës dhe Metës. Edhe nëse i marrin ndërtesën e Kryeministrisë, do të shkojë në Vorë, edhe nëse e sulmojnë në Vorë, do të shkojë në Vlorë. Kuptohet me vulat e qeverisë me vete. Deri atëherë do të kenë ndërhyrë ndërkombëtarët që të bëjnë Metën esëll duke i lënë edhe një legjislaturë në stolin e rezervave. Por nëse opozita do një preteks që mos ta lëshojë karrigen ku është, atëherë e ka menduar mirë.


Ky kod, është siç është, nuk penalizon as PS-në, as PD-në dhe as LSI-në. Penalizon alternativat e reja, të cilat nuk kanë nevojë për lotët dhe vajin e opozitës së sotme, e cila as ka sy për të krijuar frymë dhe të ndryshojë gjësend, por i ka vënë syrin doganave, tatimeve, hipotekave me mendje që ta vazhdojnë ku e lanë./dritare.net