Na ndiqni edhe në

Shkrimet e Dritanit

Diploma e infermierit dhe qatipët e opozitës

Diploma e infermierit dhe qatipët e opozitës

Ka dy ditë që për të zhvlerësuar operacionin diplomatik të Ramës, kundërshtarët e tij kanë nisur të gërmojnë në arkiva nëse infermierët kanë diploma apo nëse janë të kualifikuar për këtë punë.

Si shkas kanë marrë deklaratën e drejtorit të Spitalit të Breshias, i cili në fakt ka një përgjegjësi të madhe për infektimet masive që iu bë trupës së tij mjekësore dhe për të cilat është më përgjegjës se diplomat e trupës shqiptare.

Vështirë se ky drejtor ka kontrolluar diplomat e mjekëve rusë apo infermiereve kubaneze. Se ku e ka hallin me shqiptarët apo ka ndonjë hall të tij, kjo është punë e administratës sanitare italiane. Por në asnjë vend nuk kontrollohen kualifikimet e atyre që të vijnë për ndihmë. Mushkës së falur nuk i shihen dhëmbët, thotë një shprehje popullore.

Gjithsesi tej termave teknikë, operacioni që ndërmori qeveria shqiptare, nuk do të kishte këtë jehonë nëse nuk do t'u interesonte italianëve. E bënë edhe rusët dhe kubanët para nesh, madje ndihma ishte më masive, por askujt nuk i interesonte që t'i jepte pompë një lëvizjeje, e cila më shumë sesa logjistike, ishte politike.

Vajtja e shqiptarëve, një vend anëtar i NATO-s do t'i shërbejë në të ardhmen politikës italiane për të rinegociuar pozitën e saj në BE. Dhe këtë nuk mund ta bëjë duke evidentuar mjekët rusë dhe infermieret kubane.

Sa i takon Ramës, me 100 mijë euro, bëri më shumë zhurmë sesa 100 milionët e Trump.

Ndërkohë veprimi më inteligjent i kundërshtarëve të Ramës do të ishte që ta paraqisnin edhe veten pjesë e lojës. Asgjë nuk i kushtonte të thoshin dy fjalë urimi dhe të inkurajonin mjekët dhe infermierët që shkuan të përballeshin me rrezikun. Përkundrazi e vunë veten nën një optikë negative në sytë e italianëve dhe të emigrantëve shqiptarë, të cilët ndjehen të vlerësuar në sytë e atyre që deri dje i shikonin me syrin e të huajit.

Sigurisht që a ka apo jo X apo Y diplomë të rregullt apo false, nuk ka pikë rëndësie në sytë e publikut shqiptar dhe një gjë është e sigurt që në Itali nuk lexojnë “scoopet” shqiptare. Por siç duket kundërshtarët e Ramës, më shumë sesa të lodhin mendjen të prodhojnë ndonjë ide politike, e kanë mendjen të kërkojnë në arkiva. Gjynah që në vend të politikanit të bësh rolin e qatipit./dritare.net