Si ndikon kafja dhe çaji te demenca. Ja çfarë thotë studimi i ri!
Dritare.net

Një studim i ri sugjeron se konsumimi i përditshëm i kafesë ose çajit me kafeinë ndikon për një me një shëndet më të mirë të trurit dhe një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës në moshën e pleqërisë.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore JAMA, personat që pinin dy deri në tre filxhanë kafe në ditë ose një deri në dy filxhanë çaj kishin përfitimet më të mëdha. Studiuesit zbuluan se konsumuesit e kafesë në moshë të mesme kishin rreth 18% më pak gjasa të zhvillonin demencë më vonë, ndërsa për çajin kjo shifër ishte rreth 14%.
Studimi u udhëhoq nga Dr. Daniel Wang, profesor ndihmës i nutricionit në Harvard T.H. Chan School of Public Health, dhe u bazua në të dhënat e më shumë se 130,000 pjesëmarrësve nga dy studime afatgjata në SHBA. Megjithatë, përfitime të ngjashme nuk u vunë re tek ata që konsumonin kafe ose çaj pa kafeinë.
Ekspertët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt se kafeina është shkaku i përmirësimit të shëndetit të trurit. Faktorë të tjerë, si stili i jetesës, dieta më e shëndetshme apo aktivitetet mendore dhe fizike, mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm.
Mjekët paralajmërojnë se njerëzit nuk duhet të fillojnë të pinë më shumë kafe vetëm për të mbrojtur trurin. Personat me ankth, pagjumësi apo probleme me ritmin e zemrës duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm.
Sipas specialistëve, kafeja dhe çaji përmbajnë edhe përbërës të tjerë bioaktivë që ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe stresit. Megjithatë, ata theksojnë se zakonet e shëndetshme si aktiviteti fizik, gjumi i mirë, mos-pirja e duhanit, ushqyerja e balancuar dhe angazhimi shoqëror mbeten shumë më të rëndësishme për shëndetin e trurit sesa çdo pije e vetme./L.F-dritare.net