Na ndiqni edhe në

Shëndet

Shëndeti i zorrëve, mes trendeve virale dhe shkencës!

Shëndeti i zorrëve, mes trendeve virale dhe shkencës!

Shëndeti i zorrëve është kthyer në një nga fjalët më të përdorura në rrjetet sociale. Nga pirja e ujit me fara chia në mëngjes, te shtimi i xhelit të “sea moss” në lëngje apo konsumimi i lëngut të kockave për të “shëruar” zorrët, këto praktika promovohen si zgjidhje për gjithçka – nga humori te energjia më e lartë.

Por sipas shkencëtarëve, realiteti është shumë më kompleks. Edhe pse mikrobioma e zorrëve luan një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë, provat shkencore për shumë nga këto trende janë të kufizuara. Për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, fiksimi me “shërimin” e zorrëve mund të jetë i panevojshëm.

Çfarë është mikrobioma e zorrëve?

Sipas gazetares shkencore të BBC-së, Caroline Steel, zorra përfshin të gjithë traktin tretës – nga goja deri te anusi. Brenda tij jetojnë triliona baktere, viruse dhe kërpudha, të njohura si mikrobioma e zorrëve.

Kjo mikrobiomë është unike për çdo individ, madje më unike se gjurma e gishtit. Një mikrobiomë e shëndetshme lidhet me përthithje më të mirë të energjisë nga ushqimi, rregullim të sheqerit në gjak, sistem imunitar më të fortë dhe, sipas disa studimeve, edhe me mirëqenie mendore më të mirë, si ulje e ankthit dhe përmirësim i humorit.

A i përmbushin ushqimet virale premtimet?

Sipas mikrobiologut Alan Walker dhe shkencëtares së shëndetit të zorrëve Dr. Megan Rossi, shumica e trendeve ushqimore kanë “një grimcë të vërtete”, por shpesh shiten si produkte mrekullie.

Uji me fara chia

Farat chia janë të pasura me fibra, të cilat ushqejnë bakteret e mira dhe ndihmojnë tretjen. Megjithatë, asnjë burim i vetëm fibrash nuk mjafton. Larmia e ushqimeve bimore është shumë më e rëndësishme sesa një përbërës i vetëm.

“Shot”-et me vaj ulliri

Vaji i ullirit ka veti anti-inflamatore dhe është i shëndetshëm për zemrën, por nuk ka prova që konsumimi i tij si “shot” (shqip-shqip teke) përmirëson mikrobiomën më shumë sesa përdorimi i tij normal në ushqim.

Sea moss gel (Sea moss gel është një xhel natyral që përgatitet nga sea moss (i njohur edhe si Irish moss), një lloj algë deti që rritet kryesisht në Oqeanin Atlantik)

Shëndeti i zorrëve, mes trendeve virale dhe shkencës!

Ky produkt detar përmban fibra dhe disa minerale, por provat shkencore për përmirësimin e shëndetit të zorrëve janë shumë të pakta. Për më tepër, konsumimi i tepruar mund të sjellë rreziqe, për shkak të përmbajtjes së jodit dhe metaleve të rënda.

Lëngu i kockave

Shëndeti i zorrëve, mes trendeve virale dhe shkencës!

Edhe pse ushqyes, shumica e përbërësve të tij përthithen në zorrën e hollë, ndërsa shumica e baktereve jetojnë në zorrën e trashë. Prandaj, ndikimi i tij në mikrobiomë është i kufizuar dhe mund të ketë edhe efekte negative në kolesterol nëse përmban shumë yndyrë të ngopur.

Kur duhet të shqetësohemi?

Shenja si kapsllëku i vazhdueshëm, diarreja, gazrat e tepërt ose dhimbjet e vazhdueshme të barkut janë arsye për t’u konsultuar me mjekun, jo për të ndjekur dieta ekstreme apo për të përjashtuar grupe të tëra ushqimesh.

Siç thekson Caroline Steel, shumica e njerëzve nuk kanë nevojë të “shërojnë” zorrët e tyre. Nëse zorra është e shëndetshme, trendet virale nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim domethënës.

Çfarë funksionon vërtet?

Në vend që të ndjekim moda kalimtare, ekspertët këshillojnë hapa të thjeshtë dhe të provuar:

të hamë më shumë ushqime bimore,
të rrisim marrjen e fibrave,
të ulim konsumin e ushqimeve ultra-të-përpunuara.
Shëndeti i zorrëve nuk varet nga një produkt magjik, por nga zakone të qëndrueshme dhe një dietë e balancuar./L.F-dritare.net