
I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv, mjeku anestezist Alban Beltoja paralajmëron se demenca po shfaqet me një rritje shqetësuese dhe nuk prek vetëm të moshuarit.
Beltoja shpjegon:
“Ka ndryshime të trurit që shihen në rezonanca dhe proteina që akumulohen, por nuk dihet ende çfarë i shkakton këto dëme. Është një sëmundje progresive që do të shkojë drejt përkeqësimit.”
Ai thekson se disa faktorë mund të ngadalësojnë zhvillimin e demencës.
Socializimi: “Është shumë e rëndësishme që të sëmurët të jenë të socializuar, të flasin, të takohen me njerëz, edhe thjesht të pinë kafe me një grup,” tha Beltoja.
Aktiviteti fizik: “30 minuta ecje çdo ditë janë më shumë se sa palestra intensive,” tha ai.
Aktiviteti mendor: “Leximi, studimi dhe trajnimi i trurit ndihmojnë në ripërtëritjen e qelizave që mendonim se ishin të pakthyeshme.”
Beltoja paralajmëron edhe rreziqet e përdorimit të tepruar të internetit:
“Internet mund ta djegë trurin dhe të çojë në depresion me gjithë lajmet që lexojmë. Prandaj, është e rëndësishme të ruajmë aktivitetin mendor dhe social.”
Duke e vlerësuar situatën si një krizë të ardhshme shëndetësore dhe sociale, Beltoja thotë:
“Demenca është epidemia e shekullit dhe do të bëhet një problem social shumë më i madh me kalimin e viteve dhe plakjen e popullsisë. Sistemet shëndetësore nuk janë të përgatitura për këtë sfidë.”/K.C/dritare.net
