Na ndiqni edhe në

Shëndet

Kjo vaksinë mund t’ju shpëtojë jetën!

Kjo vaksinë  mund t’ju shpëtojë jetën!
Foto e vaksinës që mund t'ju shpëtojë jetën. Foto marrë nga Nat Geo

A e keni ditur se vaksina kundër herpesit mund të mbrojë edhe zemrën dhe trurin.

Herpesi është një infeksion që askush nuk dëshiron ta përjetojë. Ata që janë përballur me skuqjen me flluska e përshkruajnë dhimbjen si përvëluese, djegëse ose therëse – shpeshherë që zgjat për muaj të tërë pa lehtësim. Në rastet më të rënda, kjo sëmundje virale mund të bëhet edhe vdekjeprurëse.

Por tani, të dhënat e para të këtij lloji tregojnë se vaksina kundër herpesit nuk ofron vetëm mbrojtje nga infeksioni. Sipas një përmbledhjeje të 19 studimeve të paraqitura në Madrid, gjatë konferencës më të madhe të kardiologjisë në botë, kjo vaksinë mund të ulë rrezikun e goditjes në tru me 16% dhe të atakut në zemër me 18%.

Charles Williams, autor kryesor i studimit dhe drejtor mjekësor global në kompaninë farmaceutike GSK, i konsideron këto gjetje si “inkurajuese”, ndonëse thekson se “nevojiten më shumë kërkime” për të vërtetuar shkakësinë e lidhjes mes vaksinës dhe përfitimeve kardiovaskulare.

Statistikat janë alarmante: në Shtetet e Bashkuara dikush pëson një atak në zemër çdo 40 sekonda, ndërsa goditjet në tru shkaktojnë një në 20 vdekje.

Ekspertët e shëndetit publik e shohin këtë si një arsye shtesë për të promovuar një vaksinë rutinë, por ende të nënvlerësuar. Më pak se një në pesë të rritur e marrin sipas rekomandimeve. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë që të gjithë personat mbi 50 vjeç të marrin dy doza të vaksinës e njohur me emrin tregtar Shingrix si dhe të rriturit me imunitet të komprometuar që nga mosha 19 vjeç.

Kur merret sipas udhëzimeve, Shingrix është mbi 90% efektive në parandalimin e herpesit zoster. Sipas William Schaffner, specialist i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt në Nashville, i cili nuk ishte pjesë e studimit, ky hulumtim i ri zgjeron përfitimet e njohura të vaksinës. Ai shton se gjetjet “shpresojmë të ndihmojnë në bindjen e më shumë pacientëve për t’u vaksinuar”.

Si mund ta mbrojë zemrën tuaj një vaksinë kundër herpesit?

Shkencëtarët ende po përpiqen të shpjegojnë mekanizmat biologjikë që lidhin vaksinën kundër herpesit zoster me uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Pista kryesore lidhet me virusin varicella-zoster (VZV), i cili shkakton herpesin zoster dhe gjithashtu është përgjegjës për variçelën (lijën e dhenve) në fëmijëri.

“Pas infeksionit me variçelë, virusi nuk eliminohet plotësisht, por qëndron në qelizat nervore në një gjendje të fjetur,” shpjegon Albert Shaw, profesor i sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë në Yale. Me kalimin e viteve dhe rënien e imunitetit, ai mund të riaktivizohet si herpes zoster – një skuqje tepër e dhimbshme që ndjek linjat nervore në njërën anë të trupit.

Gjithnjë e më shumë të rritur nën moshën 50 vjeç po preken nga herpesi. Pse ndodh kjo?

Por pasojat nuk janë vetëm në lëkurë. Herpesi mund të shkaktojë edhe dëmtime në mushkëri, mëlçi, ethe, dhimbje koke, lodhje dhe në 10–15% të rasteve, dhimbje nervore që zgjasin për muaj të tërë. Ai mund të prekë edhe syrin apo veshin e brendshëm, duke sjellë humbje të përhershme të shikimit apo dëgjimit, sipas dermatologut të Yale-it, Jeffrey Cohen.

Lidhja mes herpesit dhe sëmundjeve të zemrës

Sipas epidemiologes Emily Rayens nga Kaiser Permanente, virusi është i lidhur me rritje të rrezikut për atak në zemër dhe goditje në tru.

Fawziah Lalji, studiuese në Universitetin e British Columbia, shpjegon se një nga mekanizmat është inflamacioni sistemik që ndodh kur VZV dëmton nervat dhe sistemin e qarkullimit të gjakut. Ky inflamacion dëmton shtresën e brendshme të enëve të gjakut një proces i njohur si dëmtim endotelial. Si pasojë, rritet rreziku për mpiksje gjaku, bllokime dhe ngjarje kardiovaskulare.

Për më tepër, herpesi mbingarkon sistemin imunitar, duke penguar proceset normale të trupit për mpiksjen, shërimin dhe mirëmbajtjen e enëve të gjakut duke shtuar rrezikun për trombozë, nekrozë dhe aneurizma.

Sipas Dong Keon Yon, specialist në Seul, vaksina mund të ndihmojë duke “ndërprerë këtë zinxhir inflamator dhe vaskular, duke ulur kështu rrezikun kardiovaskular”. Në thelb, ajo ndihmon në parandalimin e shpërthimit të virusit dhe ul ashpërsinë e tij nëse ai aktivizohet.

Megjithatë, Williams paralajmëron se shumica e të dhënave aktuale vijnë nga studime vëzhguese, jo të kontrolluara, dhe nuk mund të konfirmojnë me siguri shkakësinë.

Përfitime të tjera

Studime të shumta ndërkombëtare mbështesin gjetjet e reja dhe tregojnë përfitime shtesë nga parandalimi i herpesit zoster.

Studimi kanadez i vitit 2024, i udhëhequr nga Lalji, tregoi se rreziku për goditje në tru pothuajse dyfishohet gjatë muajit pas infeksionit dhe mbetet i lartë deri në një vit më vonë.

Studimi në SHBA (gusht 2025), i bashkautorizuar nga Rayens, zbuloi se vaksina jo vetëm ul rrezikun për atak në zemër dhe goditje në tru, por edhe ndihmon në parandalimin e komplikimeve serioze si herpes zoster oftalmicus (prekje e syrit) dhe inflamacioni i retinës.

Në Korenë e Jugut, Yon dhe kolegët ndoqën për 12 vjet pjesëmarrësit dhe zbuluan se të vaksinuarit kishin 26% më pak rrezik për ngjarje të mëdha kardiovaskulare, përfshirë atak në zemër, goditje dhe dështim të zemrës.

Për më tepër, disa studime tregojnë se vaksinimi mund të ulë edhe rrezikun për demencë. Sipas Schaffner, kjo ndodh sepse viruset si herpesi mund të infektojnë trurin dhe qelizat nervore, dhe vaksina ndihmon në parandalimin ose zbutjen e këtyre dëmeve.

Yon thekson se: “Ashtu siç inflamacioni dhe dëmtimi vaskular mund të dëmtojnë zemrën, ato mund të ndikojnë edhe në qarkullimin e gjakut në tru dhe të nxisin neuroinflamacion të dyja të lidhura me rënien e aftësive njohëse.”

Herpesi është më shumë sesa një skuqje e dhimbshme. Mund të dëmtojë organet jetike si mushkëritë, mëlçinë dhe trurin madje të bëhet kërcënues për jetën, veçanërisht për ata me sistem imunitar të dobësuar.

“Parandalimi i këtyre dëmeve është arsye e mjaftueshme për vaksinim,” thotë Shaw. Burimi:Nat Geo

/E.P-dritare.net