Na ndiqni edhe në

Shqip

Ndryshimi në Hungari, paralelizmat me Shqipërinë dhe sfidat e politikës së re! Flet Ben Andoni

Ndryshimi në Hungari, paralelizmat me Shqipërinë dhe sfidat e

Zgjedhjet e fundit në Hungari dhe ndryshimi politik në këtë vend kanë qenë ndër zhvillimet më të rëndësishme të javës. Analisti Ben Andoni, në një analizë të gjerë në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, u ndal te ndryshimi i pushtetit në Hungari, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm politik, por edhe një model që vështirë të përsëritet në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.

Sipas Andonit, fitorja e liderit të ri hungarez erdhi pas një procesi të gjatë dhe një mobilizimi të qetë qytetar, që nuk u parashikua nga shumë analistë në rajon. Ai theksoi se protestat qytetare në Budapest, të cilat fillimisht dukeshin të vogla dhe pa ndikim të madh, rezultuan të ishin një sinjal i fortë për ndryshim. Media ndërkombëtare, përfshirë BBC, kishte paralajmëruar zhvillimet, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, mungoi analiza e thelluar.

Analisti theksoi se lodhja politike e Viktor Orbán ishte një faktor kyç në këtë ndryshim. Sipas tij, Orbán dukej i tërhequr dhe pa entuziazëm gjatë fushatës, ndërsa klima politike në Evropë dhe presioni ndërkombëtar ndikuan gjithashtu në rezultatin final.

Hungaria, një model i veçantë historik dhe politik
Në analizën e tij, Andoni u ndal edhe te historia e Hungarisë, duke e cilësuar këtë vend si një komb me identitet të fortë dhe me një histori të komplikuar, që nga Perandoria Austro-Hungareze deri te revolta e vitit 1956 kundër Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, ky identitet i fortë kombëtar ka ndikuar edhe në mënyrën se si zhvillohet politika hungareze.

Ai theksoi se Hungaria ka arritur të krijojë marka dhe ekonomi të qëndrueshme, duke përmendur zhvillimin e sektorëve si prodhimi ushqimor, verërat dhe industria financiare. Sipas tij, këto zhvillime kanë bërë diferencën me vendet e Ballkanit, ku shpesh mungon vizioni afatgjatë.

Ndryshimi i ri politik dhe marrëdhëniet me BE
Sipas Andonit, lideri i ri hungarez ka nisur menjëherë kontaktet me Ursula von der Leyen për të zhbllokuar fondet evropiane dhe për të rikthyer Hungarinë në mekanizmat e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, përfshirë edhe strukturat e luftës kundër korrupsionit.

Megjithatë, ai paralajmëroi se lufta kundër korrupsionit do të sjellë rezistencë të brendshme, për shkak të ndikimit të gjatë të qeverisjes së mëparshme. Sipas tij, ndryshimet strukturore në administratë kërkojnë kohë dhe mbështetje politike.

Krahasimi me Shqipërinë
Analisti bëri edhe paralelizma me Shqipërinë, duke theksuar se ndryshimi politik kërkon ide, vizion dhe liderë të përgatitur. Ai kritikoi mungesën e figurave politike me eksperiencë dhe vizion afatgjatë, duke theksuar se shumë politikanë të rinj nuk kanë përvojë në administratë apo në institucionet ndërkombëtare. Sipas tij, liderët e rinj në Hungari kanë ardhur nga institucione evropiane dhe administrata shtetërore, ndërsa në Shqipëri, shpesh politika shihet si mundësi për përfitim dhe jo si projekt afatgjatë zhvillimi.

Hungaria dhe politikat e jashtme
Andoni theksoi gjithashtu se politika e re hungareze nuk pritet të ndryshojë rrënjësisht në raport me Rusinë, për shkak të varësisë energjetike, por pritet një qasje më e balancuar dhe më pragmatike. Ai vlerësoi se ndryshimi në Hungari është rezultat i një kombinimi faktorësh historikë, politikë dhe ekonomikë, duke shtuar se ky model është i vështirë të përsëritet në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, për shkak të diferencave të mëdha në kulturën politike dhe institucionale./dritare.net