Na ndiqni edhe në

Shëndet

Je “buf nate”? Fli gjumë, sepse po dëmton zemrën!

Je “buf nate”? Fli gjumë, sepse po dëmton zemrën!

Personat që flenë vonë, të njohur si “bufa nate”, mund të kenë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare, sipas një studimi të ri të botuar në Journal of the American Heart Association. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ka hapa që mund të ndërmerren për të mbrojtur shëndetin e zemrës.

Studimi analizoi të dhëna nga më shumë se 322 mijë të rritur, pjesë e projektit UK Biobank në Angli, Skoci dhe Uells. Pjesëmarrësit u klasifikuan sipas kronotipit, pra preferencës natyrore për orarin e gjumit dhe zgjimit: tip mëngjesi, i ndërmjetëm ose tip mbrëmjeje.

Sipas autorëve, personat me kronotip mbrëmjeje kishin më shumë gjasa të kishin zakone të pashëndetshme, si ushqyerje jo e mirë, mungesë aktiviteti fizik ose pirje duhani. Krahasuar me personat me orare të ndërmjetme, ata kishin rreth 79% më shumë gjasa të kishin shëndet të dobët kardiovaskular dhe rrezik më të lartë për atak në zemër ose goditje në tru. Lidhja u vu re veçanërisht te gratë.

Në përgjithësi, personat që flenë natën kishin rreth 16% rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje të zemrës gjatë një periudhe ndjekjeje prej afro 14 vitesh. Ndërsa ata që zgjohen herët kishin pak më pak gjasa të kishin probleme me shëndetin e zemrës.

Ekspertët shpjegojnë se rreziku lidhet shpesh me faktorë të tjerë, si orare të parregullta gjumi, vakte të çrregullta dhe ekspozim i pamjaftueshëm ndaj dritës së ditës. Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky është një studim vëzhgues dhe nuk provon se qëndrimi zgjuar deri vonë është shkaku i drejtpërdrejtë i sëmundjeve të zemrës.

Mjekët këshillojnë që edhe personat që flenë vonë mund ta ulin rrezikun duke ndjekur disa rregulla bazë: të flenë mjaftueshëm, të mbajnë orare të qëndrueshme gjumi, të bëjnë aktivitet fizik, të kontrollojnë rregullisht tensionin, kolesterolin dhe sheqerin në gjak, si dhe të shmangin duhanin.

Në thelb, specialistët theksojnë se stili i jetesës mbetet faktori më i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të zemrës, pavarësisht kronotipit./ CNN