Dieta e planetit. Si mund të ketë ushqim për të gjithë deri në 2050!
Dritare.net

Pothuajse çdo person në planet mund të ushqehet në mënyrë të shëndetshme dhe të barabartë deri në vitin 2050 — duke përmirësuar njëkohësisht edhe mjedisin — nëse vendet bashkëpunojnë për të zbatuar të ashtuquajturën “dieta e shëndetit planetar”, sipas një raporti të ri të publikuar nga Komisioni EAT-Lancet për Dieta të Shëndetshme nga Sisteme Ushqimore të Qëndrueshme.
Sipas raportit, nëse kombinohet një dietë e shëndetshme e orientuar drejt mbrojtjes së planetit me reduktimin e humbjes dhe mbeturinave ushqimore si dhe rritjen e produktivitetit bujqësor, deri në vitin 2050 rreth 9.6 miliardë njerëz do të mund të ushqehen “në mënyrë të shëndetshme dhe të barabartë”. Aktualisht, popullsia botërore është mbi 8.2 miliardë banorë, sipas Kombeve të Bashkuara.
Një dietë për njerëzit dhe për planetin
Rreth 30% e emetimeve globale të gazeve serrë lidhen me prodhimin, përpunimin dhe transportin e ushqimit, si dhe me shndërrimin e pyjeve në toka bujqësore. Pjesa tjetër, rreth 70%, vjen nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
“Një dietë e mirë për njerëzit dhe planetin fokusohet tek frutat, perimet, arrat, bishtajoret dhe drithërat integrale – me një sasi të moderuar mishi dhe bulmeti – dhe me shumë pak sheqer të shtuar, yndyra të ngopura dhe kripë,” tha bashkëkryetari i komisionit, Dr. Walter Willett nga Universiteti i Harvardit.
Ai theksoi se kjo dietë nuk e eliminon mishin apo bulmetin, por i redukton: një racion bulmeti në ditë dhe një racion proteinë shtazore (peshk, shpendë, vezë ose mish) gjithashtu në ditë, ndërsa mishi i kuq (viçi, qengji, derri) duhet kufizuar në vetëm një racion 100-120 gramë në javë.
Përfitime për shëndetin dhe klimën
Raporti i vitit 2019 i këtij komisioni kishte vlerësuar se adoptimi global i kësaj diete mund të shmangte 11.6 milionë vdekje të parakohshme çdo vit. Versioni i përditësuar i vitit 2025 e rrit këtë shifër në 15 milionë jetë të shpëtuara në vit. Vetëm në SHBA, rreth 31% e vdekjeve të parakohshme tek të rriturit mund të shmangen.
Ndryshimi i sistemit ushqimor do të mund të ulte gjithashtu emetimet globale të bujqësisë me 60% deri në vitin 2050, duke shmangur shpyllëzime masive si ato në Amazonë.
Nga ana ekonomike, raporti vlerëson një kursim prej 5 trilionë dollarësh çdo vit, falë shëndetit më të mirë, rikuperimit të ekosistemeve dhe ngadalësimit të krizës klimatike – shumë më tepër sesa kostoja e investimit të nevojshëm (200-500 miliardë dollarë).
Rruga drejt ndryshimit
Komisioni propozon disa hapa konkretë:
Subvencionet të zhvendosen nga mishi dhe bulmeti drejt prodhimeve bimore (fruta, perime, bishtajore, drithëra).
Taksim i ushqimeve të pashëndetshme me shumë sheqer, kripë apo yndyra të ngopura.
Rregullim i marketingut të ushqimeve, sidomos ndaj fëmijëve, dhe vendosje e etiketave paralajmëruese.
Forcimi i dietave tradicionale bimore nëpër kultura të ndryshme.
“Nuk po diktojmë një dietë të vetme për të gjithë botën,” tha Willett. “Dieta e shëndetit planetar është fleksibël dhe përputhet me shumicën e dietave tradicionale. Mund të nevojiten disa përshtatje, por është plotësisht e realizueshme.”
Sfida kryesore
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përveç ndryshimeve ushqimore, është jetike të reduktohet mbetja ushqimore dhe të kalohet drejt menaxhimit të qëndrueshëm të tokës, ujit dhe ekosistemeve. Pa një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare, thonë ata, rrezikohet jo vetëm shëndeti i njerëzve, por edhe ai i planetit./L.F-dritare.net