Na ndiqni edhe në

Shëndet

A mund ta ngadalësojë plakjen, vaksinimi kundër herpes zoster?!

A mund ta ngadalësojë plakjen, vaksinimi kundër herpes zoster?!

Përshtatur nga The Economic

Demenca është tragjikisht e zakonshme te të moshuarit. Në vitin 2021 mendohej se 57 milionë njerëz në mbarë botën vuanin nga kjo gjendje. Plakja është gjithashtu një faktor rreziku për shumë sëmundje të tjera, që nga inflamacioni kronik deri te rënia e funksionit të organeve. Megjithatë, një numër gjithnjë në rritje studimesh sugjeron se vaksina kundër herpes zoster mund ta ngadalësojë në mënyrë domethënëse këtë përkeqësim. Të dhëna të reja tregojnë se ajo e ul rrezikun e demencës me rreth 20%.

Herpes zoster është një sëmundje e dhimbshme e lëkurës që shkaktohet kur virusi i lisë së dhenve, i cili mund të qëndrojë i fjetur në trup për dekada, riaktivizohet. Megjithëse versionet më të vjetra të vaksinës përmbanin një formë të gjallë të virusit, ato janë zëvendësuar kryesisht. Shingrix, vaksina kundër herpes zoster që përdoret më shpesh sot në Amerikë dhe Britani, përmban sasi të vogla proteinash të marra nga sipërfaqja e virusit, me qëllim që të stimulojë sistemin imunitar të luftojë virusin e vërtetë.

Shumë autoritete të shëndetit publik rekomandojnë vaksinën kundër herpes zoster për njerëzit midis moshës 65 dhe 80 vjeç (edhe pse intervali ndryshon sipas rajonit). Kufijtë e qartë të moshës të përdorur gjatë zbatimit të vaksinimit në çdo vend ose rajon, së bashku me numrin e madh të njerëzve të vaksinuar, kanë krijuar një “eksperiment natyror” ideal për studiuesit që duan të studiojnë efektet e saj.

Vitet e fundit, Pascal Geldsetzer, një studiues në Universitetin Stanford, e ka përdorur këtë metodë për të analizuar të dhënat mbi përhapjen e demencës në popullata në Australi, Zelandën e Re dhe Uells. Në një punim të botuar këtë muaj në revistën Lancet Neurology, ai dhe kolegët e tij shqyrtuan 464,000 banorë të provincës kanadeze Ontario. Gjetjet në të katërta rajonet tregojnë se vaksina kundër herpes zoster ul numrin e njerëzve që zhvillojnë ose demencë, ose rënie të lehtë njohëse. “Vlerësimi ynë më i mirë është se vaksinimi kundër herpes zoster parandalon një në pesë diagnoza të reja të demencës gjatë një periudhe shtatëvjeçare,” thotë Dr Geldsetzer.

Një studim i botuar në janar në Journals of Gerontology: Series A sugjeron se rezultatet inkurajuese nuk kufizohen vetëm te demenca. Studiuesit i caktuan një rezultat “plakjeje të shëndetshme” 3,800 të rriturve mbi moshën 70 vjeç, bazuar në shtatë matje, përfshirë inflamacionin dhe ndryshimet e akumuluara në ADN. Studiuesit përfunduan se ata që e kishin bërë më parë vaksinën kishin nivele dukshëm më të ulëta të inflamacionit, si edhe një rezultat më të mirë të përgjithshëm, përcjell dritare.net

Pse ndodh saktësisht kjo mbetet ende e paqartë. Një mundësi, sipas Dr Geldsetzer, është se virusi i lisë së dhenve që duket sikur qëndron i fjetur mund të dëmtojë vazhdimisht trupin derisa vaksina ta ndihmojë organizmin ta luftojë atë. (Inflamacioni që shkakton mund të luajë madje rol edhe në shfaqjen e demencës.) Një mundësi tjetër është se vaksina kundër herpes zoster i jep një nxitje më të gjerë sistemit imunitar, për shembull duke nxitur prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe në këtë rast edhe vaksina të tjera mund të sjellin përfitime të ngjashme.

Megjithatë, shumë pyetje të rëndësishme duhet të marrin përgjigje përpara se autoritetet e shëndetit publik ta rekomandojnë vaksinën për të rritur më të rinj në moshë. Studiuesit ende nuk e dinë, për shembull, sa zgjat efekti mbrojtës, ose nëse ky efekt rritet me moshën. Gjithashtu, edhe pse rreziku i efekteve anësore serioze të vaksinës te njerëzit më të rinj mendohet të jetë i ulët, nevojiten më shumë të dhëna.

Për t’iu përgjigjur disa prej këtyre pyetjeve, Dr Geldsetzer shpreson të nisë së shpejti një provë klinike. Për momentin, ai i ka gjetur provat mjaftueshëm të forta sa për ta bërë vetë vaksinën. “Nëse do të flasësh për diçka,” thotë ai, “duhet edhe ta zbatosh vetë.”/K.C/dritare.net