
Rruga që na integron në familjen e Europës së bashkuar
Dritare.net

Ngritja e siparit të sezonit të ri politik në këtë fillimvjeshte, ka risjellë në vëmendjen e opinionit publik ngërçin që ka shkaktuar mungesa e dialogut mes forcave politike parlamentare dhe atyre joparlamentare.
Zjarri i krizës politike artificiale, që drejtuesit e opozitës dhe Presidenti i Republikës u përpoqën të mbanin ndezur për një periudhë gjashtë mujore, u venit pas zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit me mbështetjen e SHBA-ve dhe çertifikimit të tyre nga OSBE-ODHIR. Sigurisht që konkluzionet e raportit të OSBE-ODHIR do të kishin qënë të ndryshme nëse sjellja e Presidentit të Republikës dhe e opozitës para zgjedhjeve nuk do të kishte qënë ajo që pamë.
Megjithatë situata paszgjedhore ishte normale, në kontrast nga anormaliteti në të cilën votimet u zhvilluan. Ambienti politik ngjan sikur është neutralizuar disi nga polarizimi i skajshëm i deri para disa javëve. Por duket se sindroma e krizës vazhdon të jetë e mishëruar në trupin e kapitur të opozitës. Këtë më mirë se askush e dëshmon luhatja e qëndrimeve të drejtuesve të opozitës joparlamentare dhe sjellja partiake e Presidentit Meta, gjatë çdo dalje të tij publike apo komunikimi i shpeshtë ne Facebook. Shkeljet e konstatuara nga komisioni hetimor parlamentar tregojnë për vendimet e tij në dhunim të kushtetutës. Mesazhet nga SHBA dhe Bashkimi Europian si dhe anashkalimi që të dërguarit e tyre në Tiranë i kanë bërë Presidentit, dëshmon për refuzimin që kanë ndaj sjelljes dhe veprimeve të tij në funksion të unitetit opozitar dhe jo atij kombëtar.
Ndërkaq, lajmi se Shqipëria në muajin tetor mund të marrë rekomandim pozitiv me kushte nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave, ka detyruar opozitën jo parlamentare të zëvendësojë aksionin e saj radikal me përpjekjen për të treguar një qasje më konstruktive si kontribut për këtë interes madhor të vendit. Një pjesë e mesazheve dhe kushteve të vendosura nga Gjermania për “po”-në e hapjes së negociatave, sikurse përmenda edhe për gjetjet e raportit të OSBE-ODHIR, nuk do të ishin nëse opozita do të kishte ndjekur rrugën e dialogut dhe kontributit institucional e jo atë të aksioneve me frymë antishtet. Ndaj, opozita duhet të marrë përgjegjësitë për ato kushte që janë për të e që padrejtësisht po i ngarkohen vendit.
Mendoj se jo rastësisht raporti i Komisionit të Venecias vjen pak ditë para vendimit për hapjen e negociatave, si sinjal për të shëndoshur arsyet në mbrojtje të kushtetutës dhe balancës ndërmjet pushteteve.
Parë nga ky këndvështrim, dëshiroj që dritën e analizës ta drejtoj jo aq kah së shkuarës, sesa nga e ardhmja që Shqipëria meriton në një moment historik ndryshimesh e reformash të rëndësishme, që duhet të ndërmarrë me kontributin e të gjithëve.
Por cila do të ishte rruga e ndryshimit dhe e ardhmja e merituar për shqiptarët e ezauruar nga politika e kulisave?
Natyrisht, ndryshimi duhet të fillojë nga instalimi i kulturës së ndëshkueshmërisë. Këtu kam parasysh ecurinë e pandalshme të reformës në drejtësi. Ajo mbetet forca gravitacionale e gjithë përpjekjes për të fuqizuar rolin e shtetit dhe glorifikuar besimin e të gjithëve në barazinë përpara ligjit. Ky është momenti që e gjithë klasa politike të kuptojë se nuk ka më kohë dhe as hapësira për lojëra politike në kurriz të qytetarëve. Meqë ra fjala, kryeministrin Rama nuk mund ta rrëzojë asnjë ‘fakenews’ i mbrëmjes së 22 shtatorit të shpërndarë nga portale që kanë si mision dezinformimin. Qytetarët e Tiranës zor të kapërdijnë thirrjet presidenciale për një ditë normale pas traumës e stresit që iu shkaktoi shoku i tij i ngjitjeve nëpër male.
Por pavarësisht reagimeve të lëkundura emocionale të Presidentit, ajo që ka rëndësi është fakti se me jetësimin dhe vënien në funksionim të institucioneve të reja të drejtësisë, po ndihet era e një kapitulli tërësisht të ri të raportit mes së drejtës e të padrejtës, mes të vërtetës e gënjeshtrës, mes medias profesionale dhe medias dezinformuese, mes aftësisë të mbrojtur me ligj dhe paaftësisë të mbrojtur me maliq, e në fund e kthjelltësisë për të dalluar mes sinqeritetit dhe hipokrizisë së politikanëve që na përfaqësojnë.
Nga ana tjetër, ajo që kërkohet dhe që është shprehur qartë nga i ngarkuari i posaçëm i SHBA për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Z. Palmer, si dhe nga Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, ngelet dialogu për reformën zgjedhore. Kjo do të zhbllokonte hapjen e negociatave. Megjithatë, formula e re ligjit zgjedhor nuk është zgjidhja e mjaftueshme që mundëson garantimin e cilësisë së përfaqësimit politik në të gjitha nivelet. As thjesht plotësimi i rekomandimeve të OSBE-ODHIR për përmirësimin e standarteve të zgjedhjeve nuk është zgjidhje e mjaftueshme. Kjo reformë pikë së pari duhet të fillojë me reformimin e mendësisë se rekrutimi i kandidatëve potencialë për të përfaqësuar qytetarët, duhet të filtrohet nga kritere të panegociueshme që lidhen me integritetin dhe kulturën e tyre qytetare, për të vijuar më pas me kriteret e domosdoshme e të padiskutueshme intelektuale dhe profesionale.
Në çdo rast, opozita do tregonte seriozitet nëse vendos të ulet në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore dhe të manifestojë qasje tërësisht ndryshe për reformën në drejtësi. Është e kuptueshme që për të mbërritur në këtë pikë, drejtuesit e saj duhet të pranojnë me refleksionin e nevojshëm dështimin e asaj çfarë ndodhi gjashtë muajt e parë të vitit. Padyshim që ky reflektim nuk është i lehtë pas qasjes destruktive të treguar, por nuk është as i pamundur, nëse fuqia për të mbrojtur interesin kombëtar tejkalon frikën e ndëshkimit politik dhe jo vetëm.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka përgjegjësi politike shumë të lartë, për të menaxhuar sa më mirë peshën e madhe politike që i dhanë zgjedhjet vendore dhe ngarkesën që i jep vazhdimi i qeverisjes në mandatin e dytë. Kjo kërkon përkushtim të shtuar për të përmirësuar në vazhdimësi makinerinë e mirëqeverisjes në shërbim të njerëzve, duke ecur me ritëm më të shpejtë drejt realizimit të objektivave qeverisëse në respekt të kontratës me qytetarët.
Por në vlerësimin tim, nuk do të mjaftonte që ndryshimet pozitive të mbërrinin duke u pozicionuar veç në pritje, për të shpresuar vetëm te roli që mund të luajë qeveria, opozita apo instuticionet e rëndësishme të shtetit. Pritshmëritë që të gjithë kemi në raport me aspiratën për mirëqënie shoqërore e perspektivë zhvillimi më të lartë si shtet, mund të bëhen realitet nëse shumica prej nesh marrin një rol më aktiv, pse jo edhe publik. Është rruga më e lehtë të zgjedhim kapitullimin e shpresës duke u dorëzuar të demoralizuar para së keqes, që në gjykimin tim nuk është e pamposhtshme. E kundërta duhet të jetë e vërtetë dhe duhet të na frymëzojë me optimizëm dhe energji që nëpërmjet insistimin tonë civil sistematik të mbajmë “accountable”- pra, të mbajmë të mbërthyer para përgjegjësisë të gjithë faktorët që kanë marrë angazhimin e votëbesimin tonë për të na përfaqësuar politikisht, në krye të shtetit, qeveri apo opozitë.
Winston Churchill dikur pati thënë se: “Suksesi nuk është final dhe dështimi nuk është fatal. Është kurajoja për të vazhduar ajo që ka rëndësi”. Ndaj, unë besoj se ne shqiptarët kemi kurajon të vazhdojmë përpjekjen për të mbrojtur vlerat tona, të cilat do të na integrojnë më shpejt në familjen e Europës së bashkuar./dritare.net

















